Kishin bërë gati fidanët e kanabisit për t’i mbjellë, kapen në flagrancë dy persona në Himarë

05/06/2021 10:47

Dy persona janë arrestuar sot në Himarë, pasi sipas policisë, janë kapur me 580 fidanë kanabis, gati për t’u mbjellë në fshatin Çorraj.

Shtetasit me iniciale A.M. dhe B.Y., të dy 33 vjeç, do të hetohen nga Prokuroria e Vlorës për “Kultivimi të bimëve narkotike” si dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”,

Njoftimi i policisë:

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Seksionin e Hetimit të Krimeve kundër Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë, në bazë dhe të informacioneve të marra në rrugë operative, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve:
A. M., 33 vjeç dhe B. Y., 33 vjeç, të dy banues në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë.

Këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do të kultivonin 580 fara kanabisi të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, në një parcel toke në fshatin Çorraj, Himarë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Top Channel