Policia greke njoftoi se ka shkatërruar një rrjet të trafikut të kokainës në Athinë dhe Mikonos, që sipas tyre drejtohej nga mafia shqiptare.

Mediat greke thonë se në gjurmët e këtij grupi është rënë prej kohësh, por identifikimi i personave të tij nisi prej muajit dhjetor, kur mori sinjalizim se pas Athinës, trafikantët po synonin që të zgjeronin tregun e tyre të shitjes me pakicë të kokainës edhe në ishullin e Mikonosit, një prej destinacioneve turistike më të frekuentuara në Greqi.

Emrat e të arrestuarve nuk bëhen me dije, por thuhet se drejtuesi i këtij grupi ishte një shqiptar me precedentë të theksuar penalë në të shkuarën, por që i kishte shpëtuar drejtësisë në mënyrë misterioze.

Sipas mediave greke ai u lirua nga burgu në 2015 me një pezullim të dënimit pavarësisht nga fakti se ai kishte dënime totale prej 47 vjet burg dhe përkundër faktit se i rëndonin akuza të forta, që nga vrasja, rrëmbimi, kundërshtimi me armë i policisë e trafiku i drogës. Megjithatë, ai arriti të lirohej nga burgu dhe të vazhdonte aktivitetet e tij kriminale.

Në pamjet e paraqitura nga ANT1 shfaqen një numër i konsiderueshëm oficerë të armatosur të policisë nga Shërbimi i Krimit të Organizuar të Athinës në bashkëpunim me Sigurimin e Autoritetit Portual të Mikonosit.

Operacioni u krye në fshehtësi të plotë ditën premten. Përveç katër arrestimeve, u konfiskua drogë, armë dhe makina. Policia greke thotë se grupi shqiptar importonte kokainë direkt nga Hollanda dhe një dërgesë e bërë në tetor të vitit të kaluar është e provuar tashmë.

Policia greke thotë se po e ndiqte prej kohësh grupin, deri kur një anëtar i tij shkoi në Mykonos – padyshim – për të “hapur dyqanin e veror”, u ra dakord që të ndërhyhej. Njëkohësisht me operacionin në Mikonos u kryen edhe kontrolle dhe arrestime edhe në Athinë./shqip

Top Channel