Egjipti dërgon ‘karvanin e rindërtimit’ në zonat e bombarduara në Gaza pas konfliktit vrasës (fotot)

05/06/2021 19:00

Egjipti nisi sot dërgimin e dhjetra kamionëve të ngarkuar me material ndërtimi, vinça dhe ekskavatorë drejt Rripit të Gazës, nga pika kufitare e Rafah.

Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi ka premtuar 500 milionë dollarë në ndihma për rindërtimin e zonave të shkatërruara nga bombardimet në territorin palestinez, pas konfliktit 11 ditor me bombardime të përditshme nga Izraeli.

“Çdo mysliman dhe çdo egjiptian dëshiron të marrë pjesë në rindërtimin e Gazës”, i tha agjencisë Reuters, Mahmoud Ismail, shofer i një kamioni transportues.

Në muajin maj, Izraeli dhe grupi militant Hamas zhvilluan një luftë 11-ditore duke shënuar përleshjet më të ashpra që nga viti 2014. Luftimet lanë të vrarë më shumë se 250 palestinezë në Gaza, duke përfshirë 66 fëmijë, si dhe më shumë se 1.900 të plagosur.

Dëmet konsiderohen dhjetëra miliona dollarë amerikanë.

Egjipti luajti një rol të madh në ndërmjetësimin e armëpushimit dhe është zotuar për të financuar rindërtimin e zonave të shkatërruara në Gaza.

FOTO GALERI
1/7
Egjipti nisi sot dërgimin e dhjetra kamionëve të ngarkuar me material ndërtimi, vinça dhe ekskavatorë drejt Rripit të Gazës

Top Channel