Pavarësinë e Kosovë Greqia nuk e njeh, por në Prishtinë ministri i jashtëm grek përcolli të gjithë gatishmërinë e vendit të tij për të mbështetur plotësisht liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës dhe dialogun me Serbinë.

“Mbështesim vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe u bëj thirrje të gjitha palëve që të shtojnë përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje  detyruese ligjore dhe të qëndrueshme. Kjo zgjidhje do të stabilizojë mbarë rajonin dhe do ta afrojë edhe më shumë atë me familjen evropiane. Ne besojmë se Ballkani Perëndimor i takon Evropës dhe duhet të jetë pjesë integrale e BE-së, në këtë drejtim kemi qenë në favor të libralizimit të vizave, meqë keni përmbushur kriteret. Për këtë ne kemi mbajtur qëndrim në Këshillin e ministrave dhe do të vazhdojmë të mbështesim në drejtim të kësaj çështjeje”, tha Dendias.

Në takimin me ministren e jashtme, Donika Gërvalla, Dendias shtoi se Athina zyrtare është duke thelluar marrëdhëniet ekonomike me Kosovën.

Kryediplopmatja kosovare tha se Kosova dhe Greqia janë pajtuar që në të ardhmen të avancohet statusi i zyrës së Kosovës në Athinë, nga një zyrë e thjeshtë ekonomike në zyrë interesi, në çështje jo vetëm ekonomike, por edhe në fusha tjera si ato politike. Dendias është takuar dhe me kryeministrin Albin Kurti e presidenten Vjosa Osmani, dhe ka në agjendë bisedime me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Top Channel