Vrasje për hakmarrje në Vlorë/ Ekzekutohet në derë të shtëpisë Shkëlzen Velaj. Në 2015 i vranë vëllanë

03/06/2021 15:04

Vlora u trondit në mesnatë nga një tjetër atentat.  Viktimë mbeti Shkëlzen Velaj vëllai i të cilit ishte vrarë 6 vjet më parë në konflikt me fisin Llanaj.

43 vjeçari po kthehej në shtëpi kur  pa atentatorët që i kishin zënë pritë pranë pallatit. Ai u përpoq t’u shmangej duke u larguar me vrap nga makina e ndezur drejt apartamentit në katin e pestë. Por ndërsa hapte derën është qëlluar me një breshëri kallashnikovi. Familjarët e dërguan në spital ku nuk mundi t’i mbijetojë plagëve. Makina e autorëve një BMË pa targa është gjetur e djegur në fshatin Babicë. 4 persona janë shoqëruar. Arma e përdorur e tipit kallashnikov është gjetur në makinën e djegur, ndërsa në Vlorë kanë mbërritur mëngjesin e sotëm forcat RENEA.

Atentati dyshohet të jetë kryer nga 2 apo më shumë persona dhe pista që po hetohet është ajo e hakmarrjes. Vëllai i viktimës Ardi Velaj kishte mbetur i vrarë në 7 prill të vitit 2015, në një masakër në kazino ku pas një sherri u vranë bashkë me të dhe  Albi Limaj, e Haki Rakipi. Policia arrestoi atëherë si autorë të masakrës Aleksandër Llanaj, Ani Begaj dhe Bertil Aliaj. Aleksandër Llanaj, u dënua me burgim të përjetshëm ndërsa Ani Begaj dhe Bertil Aliaj u dënuan me nga 35 vjet burg në mungesë.

Ashtu siç pritej, ato vrasje ndezën një seri atentatesh për hakmarrje. Policia dyshon se një nga fiset e përfshira në ngjarje ka marrë hak ndaj Erven Hysenit, ish-pronar i një televizioni lokal në Vlorë. Ai u qëllua për vdekje më 24 maj të vitit 2017.

Plumbat e atentatit kanë vrarë edhe Roland Saliun, drejtuesi lokal i OSHEE-së. Pas 5 muajsh, hakmarrja do të vijonte në rrugën “Transballkanike”.

Më 1 tetor të vitit 2017 janë plagosur Ferdinand Llanaj, së bashku me Dritan Begaj, ndërsa u plagos edhe një i mitur. Më 14 janar të vitit 2019 ndodhi plagosja e Mikel Mehmetaj. Ai njihej për lidhje me fisin Llanaj. Sërish policia gjeti vetëm një automjet të djegur. Atentati i fundit në Vlorë, sërish sipas burimeve nga policia, dyshohet se ka lidhje me serinë e vrasjeve.

Arjan Hasani dhe Orest Rexho u vranë, ndërsa miku i tyre, Armando Sulejmani, i njiohur me emrin “Çipuri” u plagos rëndë. Ky i fundit u ndalua ndërsa ishte në kërkim nga policia, pasi dyshohet si një prej organizatorëve dhe pjesëmarrësve të sulmit të armatosur në tetor të vitit 2017, ku mbetën të plagosur Ferdinand Llanaj, djali i tij i mitur, dhe i afërmi i tij Dritan Begaj.Por “Çipurin”, që s’e gjeti dot policia, e gjetën kundërshtarët e tij.

Top Channel