Teologu, Çako trondit me deklaratën: Në Shqipëri gëlojnë magjistarët dhe grupet satanike, merren me…

03/06/2021 13:37

Vdekja misterioze e Evgjeni Baxhos, në trupin e së cilës u gjetën shenja të pashpjegueshme, ka vendosur në pikëpyetje veprimtarinë e shumë sekteve fetare, në vendin tonë.

Sipas të dhënave paraprake, ekspertiza shpjegon se vdekja është shkaktuar nga tromboza. Megjithatë, ngrihen dyshime se e reja ishte pjesë e një riti okult dhe mund të jetë bërë pjesë e një rituali sakrifice.

Por, ky nuk është rasti i vetëm në vendin tonë. Gazetarja Anila Hoxha raportoi mbrëmë, në emisionin “Open” se një i ri është gjetur i vdekur në pyll dhe trupi i tij ishte në pozicionin e lutjes.

Teologu, Miron Çako, i ftuar sot në emisionin “Shqipëria live” ngre alarmin për sektet fetare që zhvillojnë aktivitetin e tyre në vendin tonë:

Në Shqipëri gëlojnë magjistarët. Manipulojnë njerëzit, shpërndajnë nuska, ujëra, elementë që sipas tyre transportojnë energji. Në këtë rast, kemi magji të zezë dhe kryhet nga grupe satanike. Madje, kemi lilteraturë që del hapur, në librari ka literaturë që flet si bëhet magjike”.

Sipas teologut, këta persona besojnë vërtetë se “Djalli vërtet ekziston, besojnë se merren me të”.

Ai thotë se shumë të rinj kanë hyrë në këto grupe, nga ku është e vështirë të dalin: “Shumë fëmijë, adoleshentë, kanë hyrë në këto grupe nga kurioziteti për të mësuar të vërtetën, por më pas manipulohen. Këto grupe i çojnë hap pas hapi drejt një rituali vetëflijimi apo flijimi. Ka shumë grupe satanësh dhe magjistarësh”.

Më tej shton se “vendet ku ka lutje të fshehta, grupime të fshehta, ato duhen parë”, ndërkohë që kujton shprehjen: “Mos u ngatërro me Djallin! Po hyre në folenë e Djallit, humbet”, duke iu referuar rastit konkret të Evgjeni Baxhos.

Top Channel