Viti pandemik 2020 rezultoi i vështirë për biznesin, por sidomos për aktivitetet e huaja, të cilat e patën të pamundur të vijonin punën.
Sipas të dhënave të INSTAT gjatë vitit të kaluar e mbyllën aktivitetin 408 ndërmarrje të huaja dhe me pronësi të përzier vendase dhe të huaj, duke bërë që numri i sipërmarrjeve të huaja të bjerë me 6.3 për qind në raport me vitin 2019. Sipërmarrjet e mbyllura përbëjnë gati 7% të subjekteve të huaja e të përbashkëta që ushtrojnë aktivitetin në vend.
Rënia e bizneseve nga partnerët kryesore tregtare (Italia, Greqia, Kosova, Turqia, Gjermania, Maqedonia, Izraeli, SHBA) ishte më e fortë me rreth 16%, por u kompensua disi nga hapja e bizneseve nga vende të tjera, të cilat u rriten me 23.5% më 2020. Falimentet më të mëdha u panë në ndërmarrjet italiane në Shqipëri me rreth 408 të tilla. Italia është vendi me numrin më të madh të bizneseve në vendin tonë me rreth 2553 të tilla, me rënie 15 % në raport me vitin 2019. Ndërsa në përqindje rënien më të madhe e kishin bizneset nga Izraeli, me 59% pak se në 2019 ose me 99 biznese të mbyllura. Ndërmarrjet nga ky vend operojnë kryesisht në sektorin e call center dhe në bujqësi.
Gjatë vitit pandemik u mbyllën një seri biznesesh nga partnerët kryesor të tregtare të vendit. 58 biznese mbyllen aktivitetin më 2020. Totali i bizneseve nga Kosova pësoi rënie me 13 % gjatë vitit pandemik, ndërmarrjet nga Greqia shënuan rënie me 15% ato nga Maqedonia me 22 %, dhe Turqia me 7%. Por teksa bizneset nga partneret tanë tregtarë shënuan rënie, pësuan rritje bizneset me të cilat Shqipëria nuk e ka të zhvilluar shumë bashkëpunimin ekonomikë.
Bizneset nga vendet e tjera në vendin tonë arritën në 1903 subjekte me një rritje 23 për qind në raport me vitin 2019. Zinxhirët e furnizimit u dëmtuan nga kufizimet e pandemisë, ndaj shumë shtete që më parë nuk kishin marrëdhënie tregtare dhe ekonomike me vendin tonë krijuan lidhje të reja gjatë pandemisë duke hapur edhe biznese. Në të kundërt bizneset nga vendet partnere nuk mbijetuan në kushtet e krizës pandemike dhe ekonomike.
Sipas INSTAT, ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë të huaj zënë 3,6% të ndërmarrjeve aktive, krahasuar me 4,0% të ndërmarrjeve aktive në vitin 2019, dhe punësojnë 12,4% të të punësuarve gjithsej.
Ndërmarrjet nga vendet Bashkimit Evropian përfaqësojnë 62,2% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta. Pronarët apo bashkëpronarët me origjinë italiane dhe greke përfaqësojnë 77,8% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta gjithsej. Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta janë përqendruar kryesisht në bashkitë Tiranë dhe Durrës, përkatësisht 64,9% dhe 12,1%./Monitor
Top Channel