“Shefqet Ndroqi” i rikthehet normalitetit, Manastirliu: Drita në fund të tunelit më e dukshme se asnjëherë

02/06/2021 13:41

“Lajm i mirë miratimi nga OBSH i vaksinës Coronavac, do të diversifikojmë portofolin e vaksinave”

Spitali Covid2 “Shefqet Ndroqi” do t’i rikthehet normalitetin, për të ofruar shërbimet si Spital Universitar i sëmundjeve të mushkërive. Lajmin e ka ndarë me mjekët dhe infermierët e spitalit Covid2 Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, duke vlerësuar punën e tyre në këtë periudhë të vështirë.

“Tashmë erdhi momenti për të lajmëruar mbylljen e këtij spitali, si spital Covid2, pra si spital që trajton pacientët me covid dhe rikthimin në normalitet, në shërbimet që ofron spitali universitar “Shefqet Ndroqi”. Të gjitha urgjencat e pacientëve me covid19 të Shqipërisë tashmë do të kalojnë në Spitalin Infektiv Covid1, tha Manastirliu.

Gjatë bashkëbisedimit me mjekët, Manastirliu tha se, pavarësisht rikthimit të spitalit “Shefqet Ndroqi” në normalitet, harmonizimi i shërbimeve do të jetë funksional për rastet post-covid dhe long-covid, që kërkojnë trajtim të specializuar.

“Dua që këtu të siguroj të gjithë qytetarët se, pavarësisht faktit që kemi marrë këtë vendim, pra për të mbyllur spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, si spital që trajton rastet covid, kjo nuk do të thotë që harmonizimi i shërbimeve dhe brenda këtij spitali nuk do të jetë funksional, për ato raste post-covid apo covid-it të gjatë, të cilët do të kërkojnë një trajtim të specializuar. Sepse ajo çfarë na ka mësuar gjithë situata e pandemisë, ajo çfarë ne kemi kuptuar në të gjithë këtë vit e pak muaj, është që tashmë ne duhet të fillojmë të harmonizojmë të gjitha shërbimet tona, në funksion edhe të impaktit që vetë covid19 ka lënë”, tha Manastirliu.

Pavarësisht përmirësimit të situatës epidemiologjike, mbylljes së pavioneve Covid në spitalet rajonale dhe që nga sot edhe spitalit Covid2 “Shefqet Ndroqi”, Manastirliu tha se do të qëndrojmë në gatishmëri, për t’u rihapur sërish nëse do të ketë shtim të rasteve.
“Gjendja e gatishmërisë do të jetë, nëse do të kemi një shtim të rasteve dhe nëse do të kemi nevojë për ta rihapur këtë spital si spital që t’i shërbejë pacientëve me covid, patjetër që ne tashmë kemi dhe eksperiencën, e kemi kryer dhe më parë, dimë se si bëhet, për t’u rikthyer në skenarët që mund të na sjellë apo implikojë një situatë, ku mund të ketë një shtim të rasteve për pacientët të cilët duhet të marrin trajtim në këtë spital të specializuar”, tha Manastirliu.

Duke vlerësuar punën e madhe të stafeve mjekësore, Ministrja e Shëndetësisë tha se miratimi për përdorim emergjent i vaksinës Sinovac nga OBSH është një lajm i mirë dhe ritheksoi se vaksinimi nuk do të ndalet.

“Drita në fund të tunelit është më e dukshme se asnjëherë tjetër. Por do duhet të vijojmë të jemi vigjilentë. Programi kombëtar i vaksinimit do të vazhdojë. Dje patëm edhe një lajm të mirë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka miratuar për përdorim emergjent vaksinën e Sinovac, pra Coronavac, si një vaksinë të sigurt, efektive. Ne po vijojmë me ritme shumë të kënaqshme programin e vaksinimit, duke diversifikuar në mënyrë të vazhdueshme portofilin e vaksinave dhe do të vijojë të jetë objektivi jonë kryesor, vaksinim, vaksinim, vaksinim, pasi vetëm duke vaksinuar, ne mund të mbrojmë jetën e qyetarëve, ashtu sikurse e kemi bërë deri me sot, ku shihet që impakti i vaksinimit ka dhënë një efekt real mbi uljen e kurbës epidemike, uljen e rasteve në spitale, uljen e fatataliteteve”, tha Manastirliu.

Mjekët e spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” e kanë mirëpritur lajmin e rikthimit në normalitet, duke u shprehur se tashmë do t’u rikthehen ofrimit të shërbimeve për qytetarët për sëmundjet që trajton ky spital dhe do të vijojnë të jenë në gatishmëri.

Top Channel