Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka regjistruar sot procesin e procedimit disiplinor për gjyqtarin Luan Daci.

Gjyqtari hetues i kësaj çështjeje u caktua gjyqtar Ardian Hajdari, ndërsa Komisioni Disiplinor do të përbëhet nga kryesuese Natasha Mulaj dhe anëtaret Albana Shtylla dhe Ina Rama.

Apeli i GJKKO dënoi me burg anëtarin e pezulluar të KPA, Luan Daci në mars të këtij viti. GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, që e dënoi Dacin me gjashtë muaj burg.

Por ndërkohë ky dënim i është konvertuar Luan Dacit në 12 muaj shërbim prove. Kujtojmë se anëtari i KPA, i pezulluar tashmë nga detyra, akuzohet për falsifikim dokumentesh. Ndërkohë ky i fundit ka thënë se nuk do ta lërë me kaq.

Njoftimi i KPA:

Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në regjistrin e Juridiksionit Disiplinor është regjistruar çështja (JD) nr.5/2021, datë 31.05.2021, me kërkues Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe me objekt: “Procedim disiplinor ndaj gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Luan Daci”.

Më datë 01.06.2021, u hodh shorti për caktimin e gjyqtarit hetues dhe më pas, për caktimin e Komisionit Disiplinor dhe kryesuesin e komisionit që do të shqyrtojë çështjen (JD) nr. 5/2021, datë 31.05.2021. Pas hedhjes së shortit, gjyqtari hetues i kësaj çështjeje u caktua gjyqtar Ardian Hajdari, ndërsa Komisioni Disiplinor do të ketë përbërjen siç vijon:

Kryesuese: Natasha Mulaj

Anëtare: Albana Shtylla

Anëtare: Ina Rama.

Top Channel