PAMJET/ Vrasja e Delon Troqes, momenti kur makina e zezë afrohet tek servisi dhe qëllon me breshëri plumbash

02/06/2021 16:48

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka siguruar pamjet e vrasjes së Delon Troqes në qytetin e Vlorës.

Në pamje duket momenti kur një makinë e zezë afrohet pranë servisit dhe qëllon me breshëri plumbash dhe largohet me shpejtësi. Ngjarja e rëndë ndodhi më 21 maj të këtij viti.

Pasi u qëllua me mbi 20 plumba, 38 vjeçari u transportua në spital me urgjencë, por për shkak të plagëve të marra nuk mundi të mbijetonte dot. Top Channel ka mësuar se viktima kishte rreth dy javë që ishte kthyer nga Spanja. Sipas informacioneve Troqe ka qenë në burg përpara disa vitesh. Po ashtu, dënim me burg ai ka vuajtur edhe në moshën e adoleshencës.

Delon Troqe kishte në pronësi një servis skafesh në Vlorë, pranë vendit ku edhe u ekzekutua. Ai po ashtu ofronte edhe shërbime me skafe kryesisht gjatë sezonit turistik. Dyshimet paraprake, të ekzekutimit të 38 vjeçarit Troqe janë prishja e pazareve të drogës që ai mund të ketë pasur jashtë vendit tonë.

Vetëm disa minuta pas ngjarjes pranë fshatit Sherishtë në Vlorë, u gjet një automjet tip Audi duke u djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët për t’u larguar pas ekzekutimit të Delon Troqes. Brenda automjetit, policia gjeti dy kallashnikovë me të cilët dyshohet se është kryer vrasja. Policia ngriti disa pika kontrolli me qëllim kapjen e autorëve, por ende nuk ka asnjë të ndaluar për këtë ngjarje. Pas ekzekutimit, u shoqëruan mbi 20 persona që dyshohej të kishin dijeni për ngjarjen.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel