Fëmijët e moshës 13 vjeç në tregun e aksioneve? Një nismë pretendon t’u japë njohuritë e para fëmijëve mbi artin e të investuarit, por ajo mund të lërë edhe gjurmë në një moshë të ndikueshme.
Firma amerikane e shërbimeve financiare, “Fidelity Investments” nxorri në treg llogaritë tregtare për fëmijë të moshës 13 deri në 17 vjeç, duke përfituar nga momenti, ku brezat e rinj janë fiksuar pas mediave sociale.
Llogaria pa tarifa bankare është në dispozicion të adoleshentëve, prindërit ose kujdestarët e të cilëve kanë llogari bankare në Fildelty. Kompania i lejon ata të blejnë dhe shesin aksione të certifikuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose fonde të përbashkëta Fidelity.
“Adoleshentët ekspozohen në biseda investimesh përmes postimeve në rrjetet sociale, çka ka krijuar tregun e kërkesës” – thotë Sarah Coles, analiste e financave vetjake në Hargreaves Lansdown. “Dhe në momentin që ju keni një kërkesë, dikush do t’ua plotësojë atë”.
Përfitimet
“Llogaria për të rinjtë” e Fidelity nuk i lejon investitorët të përdorin kontrata shit-blerjeje apo të marrin hua nga një ndërmjetës. Depozitat mbulojnë shumën vjetore prej 30 mijë dollarësh. Në ndryshim nga llogaritë e mbikqyrjes nga prindërit, ku këta të fundit mund të veprojnë në emër të fëmijëve të tyre, kjo lloj risie e Fidelity u lejon të miturve të ekzekutojnë veprime tregtare. Prindërit mund të kërkojnë të njoftohen për aktivitetin e fëmijëve të tyre. “Unë mendoj që kjo është një mundësi e mirë, pasi një nga gjërat më problematike që ka vërejtur industria e shërbimeve financiare është angazhimi i të rinjve në menaxhimin e financave të tyre dhe investimet e tyre në treg”, i tha DW-së, Greg Davies, konsulent financash pranë Oxford Risk.
Edukimi mbi financat personale është dukshëm i mangët në kurrikulat mësimore, çka do të thotë se shumë pak njerëz dalin nga shkolla të pajisur me dijet që kërkohen për të marrë vendime të rëndësishme investimesh ose për të përftuar zakone të mira financiare. Platforma për të rinjtë është pikërisht për të mbushur këtë boshllëk.
Rreziqet
Edhe pse platforma e Fidelity ka disa kufizime për mbrojtjen e përdoruesve të mitur, ekspertet janë të shqetësuar rreth ndikimit psikologjik që mund të ketë kjo nismë mbi mendjet lehtësisht të ndikueshme të të rinjve.
“T’u mësosh fëmijëve notin në këtë ‘det të thellë” bart shumë rreziqe”, i tha DW analistja Coles. “Nëse ata hyjnë në botën e investimeve pa kuptuar më parë se çfarë po bëjnë, rrezikojnë që të bëjnë gabime që mund t’u kushtojnë gjithë jetën ose të krijojnë vetëbesim të rremë në rastet kur u ecën fati”.
Disa studime kanë arritur në përfundimin se të humbësh para në vitet kur formohet personaliteti, mund të lerë gjurmë të pashlyeshme tek njerëzit. Një kategori e gjerë e të rinjve që panë nga afër turbullirat e tregut gjatë Depresionit të Madh në SHBA në fund të viteve 1920 dhe fillimin e viteve 1930, nuk investuan kurrë në jetën e tyre.
“Ilaç” për barazinë gjinore?
Disa ekspertë, përfshirë edhe Davies, mendojnë se një platformë e tillë mund të ndihmojë në zgjidhjen e një problemi madhor që mundon tregjet financiare botërore: faktin që ka shumë pak gra që zotërojnë aksione. Studimet tregojnë se ka një prani tepër të ulët të grave në këtë treg, për shkak të mungesës së vetëbesimit dhe gjithashtu të mungesës së njohurive në këtë fushë.
Por analistja Coles nuk është dhe aq e bindur që kjo platformë do të shtojë numrin e vajzave në tregun e aksioneve. “Nuk jam e sigurt që do të ndihmojë zvogëlimin e këtij hendeku gjigant, sepse shumica e fëmijëve po mësojnë mbi investimet nëpërmjet medias sociale dhe algoritmet shfaqin vetëm informacione që lidhen ngushtë me interesat e tyre. Për momentin, për shkak të kushtëzimeve kulturore, sërish kjo fushë do të pëlqehet më shumë nga djemtë se sa nga vajzat”, përfundon ajo./DW
Top Channel