Indonezia ndalon përpjekjet e rekuperimit të nëndetëses së tragjedisë, të fundosur në prill (fotot)

02/06/2021 17:38

Indonezia ka ndaluar sot përpjekjet për të shpëtuar mbetjet e nëndetëses së fundosur në brigjet e Bali në prill, ku u vranë të 53 anëtarët e ekuipazhit.

Nëndetësja KRI Nanggala u zhduk nga radarët pasi kërkoi leje për t’u zhytur në thellësi gjatë manovrave ushtarake me lëshime silurësh.

Mjeti 40-vjeçar u zbulua vetëm katër ditë më vonë, i ndarë në tre pjesë.

Përpjekje të shumta janë bërë për rekuperimin e mbetjeve nga rreth 800m thellësi, por tashmë puna është ndaluar.

“Operacioni i shpëtimit është mbyllur,” tha zëdhënësi i marinës Julius Widjojono për agjencinë Reuters.

Një grup i përbashkët Indonezi-Kinë u zhytën disa herë duke bërë foto e video të mjetit te fundosur, thanë autoritetet, duke shtuar se asnjë nga trupat e 53 marinarëve nuk është rekuperuar.

Zhdukja e  KRI Nanggala solli nisjen e një operacioni të gjerë ndërkombëtar kërkimi me pjesëmarrje të vendeve si SHBA, Australia, Singapori, Malajzia e India.

Nëndetesja gjermane kishte bërë një operacion rinovimi në vitin 2012, ndërsa një tjetër operacion mirëmbajtjeje që duhet të ishte kryer vitin e kaluar, ishte shtyrë.

 

FOTO GALERI
1/6
Nëndetësja e zhdukur indoneziane është zbuluar e ndarë në tre pjesë në fund të detit.

Top Channel