Një sasi e konsiderueshme, plot 15 kilogramë lëndë e dyshuar heroinë është sekuestruar në pikën kufitare Kakavijë, pas kontrollit të ushtruar në vijën e dytë një automjeti tip kamion.

Operacioni policor i koduar “Koordinimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e  trafikimit të lëndëve narkotike ishte rezultat i bashkëpunimit mes Policisë Kufitare të Kakavijës, FRONTEX-it, Sektorit të Narkotikëve në DVP Gjirokastër dhe shërbimeve doganore.

Policia bën me dije se pas skanimit dhe kontrollit në vijën e dytë u bë e mundur gjetja e lëndës narkotike që ishte fshehur në kroskotin e kamionit. Shoferi i arrestuar është Shpëtim Pjeshka, banues në Elbasan dhe akuzohet për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

“Gjatë kontrollit të detajuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 30 pako të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me peshë totale 15 kilogramë.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të kamionit, shtetasit Sh. P., 63 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale ‘Trafikimi i narkotikëve’”, njofton policia.

Nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

FOTO GALERI
1/14

Top Channel