Studentët nuk kanë transport/ Durrës, nuk kanë mundësi udhëtimi për në kampusin universitar në Spitallë

01/06/2021 15:15

Prej disa muajsh shërbimi i transportit urban në linjën që lidh qendrën e Durrësit me kampusin universitar në Spitallë nuk funksionon, duke shkaktuar probleme për qindra studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” të cilët tashmë i janë kthyer auditoreve.

“Shpesh vonohemi për konsultimet. Është shumë e vështirë”, thotë një student.

Ndërsa disa studente të tjera u shprehën:

“Kemi 2 javë që vijmë për provime dhe detyrohemi të marrim taksi, po kjo nuk është e përballueshme për ne. Jemi studentë.”

“Duhet të vijmë ose në këmbë 1,5-2 orë ose me taksi. Jemi të detyruar që ose të lejmë shkollën ose të na vendosin urbanë. Ndryshe do të protestojmë. ”

“Ecim në këmbë se atë e di tjetër kush…”

“Duhet të presim në vapë, shi, të ftohtë. Kemi tentuar dhe kemi bërë kërkesë, por askush nuk na është përgjigjur.”

Përmes klinikës së Ligjit që funksionon pranë këtij universiteti, studentët i janë drejtuar Bashkisë për marrjen e masave dhe ofrimin e shërbimit të transportit publik në këtë linjë, pasi po cenohet dhe ecuria e procesit akademik, pas një viti të vështirë pandemik.

Dorina Ndreka: “Kemi bërë një kërkesë me shkrim bashkisë Durrës si institucioni përgjegjës dhe kontraktues me shoqërinë e transporteve që ofron shërbimin publik. Ndërsa presim një reagim, duhet një ndërgjegjësim sepse janë 3 fakultete me një numër shumë të madh studentësh, pa përmendur punonjësit e tjerë në zonë dhe universitet.”

Në bazë të kontratës 10-vjeçare, të nënshkruar me bashkinë në shtator të vitit të kaluar, operatori i kësaj linje nuk duhet të pezullojë apo braktisë shërbimin, ndërsa duhet të afishojë oraret e shërbimit dhe të njoftojë qytetarët kur ka ndryshime, detyrime këto që nuk janë zbatuar.

Top Channel