Palmer: Njohje reciproke. Të dërguarit e SHBA dhe të BE flasin për dialogun Kosovë-Serbi

01/06/2021 15:29

Njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë do t’i hapte rrugë vendeve drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Këtë mendim ndan edhe zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit, Matthew Palmer në konferencën e përbashkët për media me të dërguarin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajcak.

Por, për të arritur deri tek njohja, Palmer tha se u takon palëve t’i gjejnë kompromiset e nevojshme dhe t’i caktojnë parametrat e negociatave.

Matthew Palmer, Zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan:

“Sa i përket qëllimit përfundimtar ne vazhdojmë të besojmë se është njohja e ndërsjellë ajo që do ta lë pas këtë çështje dhe do të hapë rrugën drejt Evropës. Dialogu nuk udhëhiqet nga SHBA-ja e BE-ja, por udhëhiqet nga palët, dialogu lehtësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga SHBA-ja. Prandaj, u takon palëve të pajtohen për parametrat e dialogut dhe të ndihmojnë që procesi të ecë përpara. Ne jemi këtu për të mbështetur, inkurajuar dhe mbrojtur teksa procesi ecën përpara. Rrugëtimi drejt BE-së kërkon adresimin e të gjitha problemeve.”

Në anën tjetër, Lajcak dha sinjalet se ky vit mund të jetë produktiv në rrugën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Miroslav Lajcak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi:

“Ky vit ka potencial të jetë vit i mirë në mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ka një rritje të interesimit për rajonin në mesin e udhëheqjes së BE-së dhe shteteve anëtare. Do të ketë samit të BE-së në tetor dhe këto platforma janë mundësi e mirë që të ecet përpara për Ballkanin, përfshirë Kosovën”.

Lajcak mohoi të ketë thënë gjatë vizitës së fundit në Beograd, se Kosova duhet ta ndryshoj Kushtetutën për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Ajo çfarë kam thënë ka qenë referenca në praktikën e zakonshme, që kur arrihet një marrëveshje ndërkombëtare, atëherë zotimi që del nga ato marrëveshje duhet të transponohet edhe në legjislacionin kombëtar. Nuk kamë thënë se si dhe çfarë duhet të bëhet.”, tha Lajçak.

Takimi i parë me Kurtit dhe Vuçiç pritet të ndodh me 22 qershor në Bruksel.

Dialogu nën udhëheqjen e BE-së kishte filluar më 2011, derisa 9 vjet pas me kërkesë të Kosovës u përfshinë edhe SHBA-të.

Top Channel