Muriqi i papërmbajtshëm, Kosova fiton bindshëm ndaj San Marinos

01/06/2021 21:45

Kosova bën detyrën në miqësoren e parë të muajit qershor, pasi ia ka dalë të triumfojë me rezultatin e thellë 4-1 ndaj modestëve të San Marinos, të cilët vetëm pak ditë më parë u përballën me Italinë dhe nxorën 7 herë topin nga rrjeta.

Vedat Muriqi ishte protagonist absolut për “dardanët” duke shënuar të 4 golat e ndeshjes, nga dy për çdo pjesë loje, teksa vlen të theksohet se një performancë mjaft të mirë bëri edhe Arbër Zeneli, që asistoi në tre nga golat e sulmuesit të Lazios.

Sfida u zhbllokua në minutën e 28’, falë kombinimit Zeneli-Muriqi, teksa nga e njëjta dyshe erdhën edhe dy golat e tjerë, në minutat shtesë të pjesës së parë dhe në fillim të 45-minutëshit të dytë.

Golin e katërt e shënoi sërish Muriqi, këtë herë nga pika e penalltisë, teksa vlen të theksohet se për herë të parë në karrierë, sulmuesi që aktivizohet me Lazion në Serinë A, ia del të shënojë 4 gola në një ndeshje.

Ky ishte një test mjaft i rëndësishëm për trajneri Bernard Challandes, që përveçse pa gjendjen e futbollistëve të tij në këtë fund sezoni, pati mundësinë të vëzhgojë nga afër edhe emra të afruar rishtazi si Idrizi, Bajselmani, Sulejmani, Emini e Bytyqi. Sfida e radhës e Kosovës do të luhet tre ditë më vonë, sërish miqësore, por këtë herë ndaj Maltës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA