“Duket sikur shikon një top modele”, avokatja komenton videot e Enkeleda Kapedanit: Sistemi është përmbushur nga elementë të tillë

01/06/2021 12:27

Emri më i diskutuar i momentit në vendin tonë është ai i Enkeleda Kapedanit, kryetares së Gjykatës së Elbasanit. Një ditë më parë në rrjet u publikuan disa video “TikTok”-u, ku kryegjyqtarja shfaqet duke pozuar gjatë orarit të punës në zyrën e saj.

Pjesën më të madhe të këtyre videove, Kapedani i kishte realizuar në ambientet e gjykatës, duke u përpjekur që të nxirrte në pah dhe jetën e saj luksoze me veshje të markave të shtrenjta.

Videot e Kapedanit u komentuan ditën e sotme në emisionin “Breaking” në Top News, ku në studio ishte e ftuar avokatja, Elda Milori, e cila u shpreh se kemi të bëjmë me shkelje të etikës.

Sipas Milorit, ajo që duhet të diskutohet më gjerësisht, është fakti se kush i rekruton këto gjyqtarë, që para që të ngrenë çekiçin e rëndë në Gjykatë, duhet të shikojnë a plotësojnë të gjitha kriteret e etikës.

“Në rastin në fjalë të duket sikur shikon një top modele pasarale. Kur përzgjidhet një gjyqtare është kriter edhe mosha. Kjo duhet të rëndojë mbi njerëzit që i përzgjedhin për ti futur në sistem. Nuk e kanë fajin elementët apo sistemi, por ata njerëz që i rekrutojnë këta njerëz dhe i fusin në radhët e gjyqtarëve. Që të kalosh e të bëhesh kryetare gjykate, duhet të jesh gjyqtare karriere, e nuk mund të jesh në moshën 25-vjeçare. Në atë moshë nuk e ke atë rëndesë mendimi, por vetëm kur ke kaluar në të gjitha hallkat. Sistemi jonë vuan thellësisht për gjyqtarin e karrierës. Sistemi është përmbushur nga elementë të tillë që po e degradojnë nga momenti në moment”, tha avokatja e njohur.

Milori shtoi se “Gjykatat tona vuajnë për gjyqtarë kualitativ”. “Kemi gjyqtarë që kanë mbaruar shkollën, e janë të rinj, por mungojnë ata me eksperiencë, duhet të jenë gjyqtarë karriere. Gjyqtarët e rrethit duhet të jenë të rekuetruar mirë, që kur ta ngrenë çekiçin, të rëndojë tamam, jo të jetë pupël si në rastin konkret. Me gjyqtarë 22-vjeçar, atëherë sistemi është komplet i rrënuar. Këtu qëndron e keqja e rastit konkret. Mund të jetë një grua shumë e mirë, por më tepër i përket jetës së showbiz-it se sa jetës së një gjyqtari”, vijoi ajo./shqip

Top Channel