E ardhmja e Cristiano Ronaldos vijon të mbetet një rebus, pavarësisht se partnerja e tij, Georgina Rodriguez deklaroi se do të qëndrojë në Torino, pasi fjalët e saj u komentuan si një përgjigje diplomatike, për sa kohë që portugezi është nën kontratë me Juventusin.
E vërteta është se CR7 bëri një postim në fund të sezonit, ku u krenua se arriti të fitojë gjithçka edhe në Itali, pasi e kishte bërë këtë më herët edhe në Angli e në Spanjë, por nuk u mos aspak me ecurinë e klubit të Juventusit.
Për më tepër, pak ditë më parë gjeti kohë të falënderojë Andrea Pirlon për punën e bërë së bashku, por nuk i ka uruar ende mirëseardhjen Massimiliano Allegrit, me të cilin ka punuar në sezonin e tij të parë në Torino.
Në fakt Max nuk e mirëpriti Ronaldon në “Allianz Stadium” tre vite më parë dhe gjatë një sezoni që luajtën bashkë, e uli edhe në stol, ndërsa tani që është rikthyer, i ka ndezur dritën jeshile largimit të portugezit, paga e të cilit rëndon jo pak në arkat e Juves.
Megjithatë ;largimi nuk është aq i thjeshtë sa duket, pasi Juventusi mund të pranojë të heqë dorë edhe kundrejt një shifre simbolike, për të kursyer dhjetëra milionat e shpenzuara për pagën e tij, por në këto kushte, klubet që mund t’i bëjnë një ofertë janë shumë të pakta.
Agjenti i CR7-ës ia ka propozuar 5 herë fituesin e Topit të Artë klubit anglez të Manchester United, por drejtuesit e këtyre të fundit kanë qenë të qartë, do të hyjnë në negociata vetëm nëse Ronaldo merr në konsideratë të përgjysmojë pagën e tij vjetore.
Opsioni tjetër është Paris Saint Germain, me sheikun Al Khelaifi, që do të ishte shumë i kënaqur të merrte portugezin në “Parkun e Princave”, por gjithçka këtu varet nga Kylian Mbappe. Këtij të fundit i skadon kontrata verën e ardhshme dhe nëse vendos të largohet, drejtuesit e PSG-së janë gati ta zëvendësojnë me Ronaldon.
Por nëse Mbappe pranon ofertën për të rinovuar dhe vendos të qëndrojë gjatë në Paris, atëherë nuk ka vend më për Cristiano Ronaldon dhe ky i fundit do të duhet të marrë në konsideratë opsionin MLS.
Top Channel