83 vjeçari Bill Cosby, ish-prezantues i njohur, tashmë përdhunues i dënuar me burg në SHBA, ka humbur shansin e lirisë me kusht pasi ka refuzuar të kryente programin e terapisë për predatorët seksualë.
Gjykata e Pennsylvania refuzoi peticionin e Cosby për t’u liruar nga dënimi i tij 3 deri në 10 vjet burg pasi refuzoi programin e posaçëm për rehabilitimin e predatorëve të dhunshëm seksualë.
Cosby u dënua në 2018 për sulm të rëndë seksual, pasi kishte droguar e përdhunuar ish-mikeshën e tij Andrea Constand në shtëpinë e tij në Philadelphia në 2004.
Cosby kishte të drejtën për apelim lirie me kusht pas tre vjet prapa hekurave për arsye të moshës dhe shëndetit, por kërkesa e tij u hodh poshtë.
Një zëdhënës i Cosby tha për mediat se vendimi nuk ishte i papritur.
“Lajmi për refuzimin e lirisë për aktorin dhe komedianin Bill Cosby nuk ishte i papritur për atë dhe familjarët”, tha avokati Andrew Wyatt.
“Zoti Cosby ishte njoftuar muaj më parë se nëse refuzonte kurset e rehabilitimit për krimet e tij, lirimi do të mohohej. Ndërkohë ai vazhdon të pretendojë pafajësinë e tij dhe mohon akuzat si të rreme dhe pa prova”.
Zedhënësja e bordit të gjykatës Laura Treaster, tha se marrja në konsideratë e lirit të Cosby mbetet në fuqi, në varësi të pjesëmarrjes në programin e terapisë për predatorët seksualë.
Avokati i Cosby shtoi se 83 vjeçari po ia kalon relativisht mirë në burg dhe mbetet me shpresë, megjithë moshën e thyer dhe sëmundjet.
“Ai është i freskët si një kastravec,” tha Wyatt, duke shtuar se Cosby mezi pret vendimin e gjykatës së lartë të Pennsylvania për apelin e avokatëve.
Top Channel