Vrasja e Florian Lamçes/ Prokuroria mbyll hetimet, çon për gjykim dhëndrin e ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini

28/05/2021 11:34

Prokuroria e Elbasanit ka mbyllur hetimet për vrasjen e Florian Lamçes dhe ka çuar në gjykatë dosjen për gjykim edhe për Sokol Sanxhaktarin, dhëndri i ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini, si dhe  Adriano Hajdari.

Ngjarja e rëndë ndodhi në korrik të vitit të kaluar në ambientet e lokal “Piazza del sol”, në qendër të Elbasanit. Sanxhaktari, Lamçe, Hajdari dhe tre persona të tjerë kishin konsumuar pije alkoolike dhe më pas ishin konfliktuar me njëri tjetrin.

Përplasja kishte vazhduar me përdorimin e sendeve të forta dhe si pasojë shtetasi Florian Lamçe humbi jetën.

Dhëndri i ish-kryetarit të bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdinit dëshmoi për policinë se me viktimën kishin pasur lidhje miqësie dhe se ishte i shokuar për ngjarjen, pasi nuk mbante mend asgjë. Sanxhaktari është një personazh i njohur për drejtësinë, pasi ka konsumuar vepra penale edhe më herët.

Dëshmia e tij e dhënë në polici

“Florin e kam shok. U takuam pasdite dhe kemi qenë në disa lokale. Në darke u ulëm me Ardianon dhe me Florianin tek lokal Piazza dhe kemi pirë shumë pije të ndryshme. Nuk e kujtoj as si nisi debati dhe as pse më qëlloi dhe e qëllova. Jam i shokuar. Nuk e di si ka ndodhur. Ne jemi miq”, ka thënë asokohe Sanxhaktari.

Kujtojmë se Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, u vu në pranga së bashku me Adriano Hajdarin.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe marrjen e dëshmive të dy të dyshuarve, zyrtarisht policia e Elbasanit në shtator të 2020 tha se dyshohet që 40 vjeçarin Lamçe, e kanë vrarë me dashje dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, akuzë më të cilën do të përballen përpara drejtësisë.

Dhëndri i ish kryebashkiakut, Qazim Sejdini është përfolur disa herë për lidhje me grupet kriminale që operojnë në këtë qytet.

Top Channel