(Video) Merr flakë fabrika e tullave në Maminas, tymi i zi ‘pushton’ zonën/ Lëndohet një punonjës, evakuohen banorët

28/05/2021 11:46

Fabrika e tullave në Maminas është përfshirë nga flakët mesditën e sotme.

Siç mund të shihet edhe nga pamjet e siguruara nga Top Channel shihet se zjarri është i përmasave të mëdha teksa tymi i zi është përhapur gjithandej në zonë.

Ende nuk ka detaje të tjera mbi shkaqet e kësaj ngjarje, ndërsa paraprakisht, raportohet për një punonjës të lënduar.

Policia dhe forcat zjarrfikëse kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, të cilët kanë evakuuar personelin dhe po punojnë për shuarjen e flakëve. Po ashtu, kanë evakuuar banorët, shtëpitë e të cilave gjenden pranë fabrikës në flakë.

“Më datë 28.05.2021, rreth orës 11:15, në rrugën dytësore në Maminas, Shijak ka rënë zjarr, në fabrikën e re të tullave. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivet e Policisë dhe Zjarrëfikëset, të cilët kanë avakuuar personelin dhe po punojnë për shuarjen e flakëve dhe sqarimin e shkaqeve të rënies së zjarrit”, thuhet në njoftimin e bërë nga policia.

Informacion paraprak

Në vijim të informacionit të dhënë mbi zjarrin e rënë në fabrikën e re të tullave në Maminas,  Shijak është lënduar nga zjarri, shtetasi B.B., 57 vjeç,  banues në Tiranë, i cili ndodhet në Spitalin Francez Tiranë nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Top Channel