“Të shkarkohet Meta”/ Komisioni Hetimor: Presidenti ka shkelur Kushtetutën

28/05/2021 15:01

Komisioni Hetimor i propozoi Kuvendit votimin e shkarkimit të presidentit Ilir Meta, pasi është faktuar shkelja e më shumë se 10 neneve të Kushtetutës prej tij.

Nga ky hetim komisioni hetimor thekson se presidenti Ilir Meta u kthye në frymëzues të dhunës duke shkelur nenin 88 të kushtetutës si dhe atë 98 duke u përfshirë në fushatë elektorale.

Përmes një raporti me 97 faqe, të komisionit hetimor, shumica socialiste i  drejtohet seancës plenare të 10 qershorit për ta bërë fakt shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga parlamenti.

Pjesë e fakteve të renditura në raport është edhe konkluzioni paraprak i monitorimit të zgjedhjeve të 25 Prillit nga OSBE-ODIHR, për të faktuar përfshirjen e kreut të shtetit në fushatë elektorale.

Komisioni mbërriti në përfundimin se presidenti përmes disa shkresave ndërhyri në punën e Gjykatës Kushtetuese apo Prokurorisë.

Shkeljet e kushtetutës nga presidenti komisioni hetimor në raportin final thotë se janë konsumuar gjatë 19 intervistave televizive, 9 deklaratave, 45 postimeve në Facebook dhe shkresave dërguar institucioneve.

Pa mbaruar ende leximi raportit nga kryetari komisionit Alket Hyseni, reagoi presidenca e cila thotë: “Asnjë koment dhe zero shqetësim për çdo vendim nul apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit një partiak.

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e Tij deri më 24 korrik 2022, me të njëjtën përgjegjësi të lartë, vetëm në respekt dhe mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit kombëtar.

Top Channel