Shembja e “Kafes së Madhe” në Shkodër, flet gazetarja Ymeri: Nuk ka leje aktive për rikonstruksion!

28/05/2021 13:06

Gazetarja Anisa Ymeri ka bërë publike imazhet e shembjes së “Kafes së Madhe” në qytetin e Shkodrës duke thënë se ka ndodhur në sy të të gjithëve dhe është e habitshme se si ka ndodhur pasi nuk ka leje aktive për rikonstruksion.

Në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”, Anisa Ymeri tha se kjo nuk mund të ndodhë absolutisht me leje të Bashkisë.

Anisa Ymeri: Për ironi të fatit, në mes të Shkodrës do të duhet të shkoja unë për ta bërë publik këtë gjë. Është e trishtë. Që kur jam kthyer nga Shkodra, nuk gjej më qetësi. Shkoja shpesh në “Kafen e Madhe” për të bërë intervista. Shkova këtë mesjavë në Shkodër, por në mortin e Kafes së Madhe se kanë mbetur vetëm muret anësore dhe kjo ka ndodhur në sytë e të gjithëve. Është e habitshme se si ka ndodhur e gjithë kjo gjë në sy të të gjithëve, në sy të drejtorisë rajonale. Është e haitshme se nuk ka leje aktive për rikonstruksion dhe nuk do të duhej të ndodhte asgjë në një monument kulture të kategorisë së parë. Kafja e Madhe është shembur që ditën e hënë dhe zgjodha të prisja dy ditë që të bëja publik lajmin.

Drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Shkodrës, Majlinda Laçaj ka thënë se leja e vitit 2016 ka skaduar ndërsa përfaqësuesit e firmës së zbatimit në terren i kanë thënë se e kanë marrë lejen nga Bashkia.

Majlinda Laçaj: Në dijeninë time, më parë ka pasur konflikte pronësie dhe me të evidentuar rinisjen e punimeve, është bërë pezullimi i punës sepse afati i lejes ka efektshmëri 1 vjeçare. Kjo leje e 2016 ka skaduar. Por gjatë komunikimit në terren nga përfaqësuesit e firmës së zbatimit, ata kanë komunikuar se kanë marrë leje nga bashkia në mars të 2021.

Në vitin 2007, Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve e shpalli “Monument Kulture të Kategorisë së Parë”, por përveç vendosjes së një pllake, nuk bëri asgjë që të mund të ndalte degradimin e godinës simbol. Para se të quhej “Kafja e Madhe”, godina pati tre emra: Fillimisht quhej Kafe “Adriatik”.

Më pas u quajt Kafe – Hotel “Park” dhe në fund, me ardhjen e malazezëve “Grand Hotel Savija”. Por gjithnjë, prej përmasave që për kohën nuk mund të imagjinoheshin, për të gjithë ruajti emrin Kafja e Madhe.

Top Channel