Raporti final për shkarkimin e Presidentit/ Hyseni: Meta dha leksione demokracie që nuk gjenden askund!

28/05/2021 13:56

Ditën e sotme, Komisioni Hetimor ka miratuar raportin final ku do të kërkohet shkarkimi i Kreut të Shtetit për shkelje kushtetuese të kryera gjatë fushatës elektorale.

Raporti voluminoz pritet të votohet në Kuvend me 10 qershor, ndërsa mësohet se duhen 94 vota për të shkarkuar Ilir Metën, kurse vendimin final do ta japë Gjykata Kushtetuese.

“Presidenti ka intimiduar votuesit duke thënë se ai vetë do i presë dorën, thirrje luftarake, vetëgjyqësie janë mesazhe të qarta drejt popullit. Kjo nxitje dhune detyroi ambasadoren e SHBA të apelojë presidentin meta të ndaloje këtë fushatë.  Në vend të ishte neutral, tregoi qartë anësi ndaj opozitës. Presidenti mori përsipër të jap leksione demokracie, që nuk gjendjen askund”, tha ndër të tjera Hyseni duke iu referuar raportit, për të cilin u shpreh se do i dërgohet Kuvendit për votim brenda 7 ditëve.

“Sjellja e Presidentit duhet të përcaktohet si rol ekuilibrues në jetën politikë të vendit dhe nuk përfshihet në lojën e përditshme politike. Kryetari i shtetit nuk duhet të mbështesë forca të caktuar apo t’i kundërvihet forcave të ndryshme politike. Presidenti bëri një fushatë kundër partisë në pushtet me të gjithë fuqinë institucionale të tij. Edhe ODIHR shkruan se Meta mban një marrëdhënie kritike dhe të ashpër ndaj qeverisë duke ndikuar drejtpërdrejtë në zgjedhje me tonet e tij konfrontuese edhe të nxehta. Në kapacitetin e tij ai bëri fushatë kundër partisë në pushte.

Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”, shkruhet në ligjin më të rëndësishëm të vendit.

Ndërkohë, lidhur me ngjarjen e ndodhur vetëm pak ditë para zgjedhjeve në zyrat e FRD-së, komisioni hetimor ka ngritur një akuzë ndaj Presidentit Meta se ka shkelur nenin 94 të Kushtetutës, në të cilin thuhet: “Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të”, vijoi Hyseni.

Komisioni hetimor u ngrit me kërkesë të 49 deputetëve socialistë të cilët kërkuan shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës.

Top Channel