Pagat në Shqipëri më të ulëtat/ Një menaxher shqiptar paguhet më pak se një pastrues europian

28/05/2021 19:53

Menaxherët janë profesionistët më të paguar në vendet e Bashkimit Europian sipas Eurostat.

Referuar publikimit për vitin 2018 që përfshiu edhe vendet e rajonit Shqipërinë e Serbinë, rezulton se në këto shtete menaxherët paguhen mesatarisht 28.6 euro ora, e pas tyre vijnë profesionistët.

Por, teksa në Bashkimin Europian një menaxher paguhet mesatarisht 28.6 euro për orë, kolegët e tyre në Shqipëri paguhen shumë herë më pak me vetëm 4.45 euro për orë.

Jo vetëm për pozicionet drejtuese, por Shqipëria ka pagën orare mesatare më të ulët ndër vendet e Europës edhe për profesionistët që në vend paguhen mesatarisht 3.12 euro/orë, ndërsa në BE ky tregues arrin në 21.36 euro ora.

Sanitarët, ndihmësit, punëtorët e tjerë të shitjes e shërbimit apo punë të tjera elementare po ashtu paguhen më pak në vendin tonë me vetëm 1.48 euro ora, teksa mesatarja për të njëjtat profesione në BE arrin në 9.6 euro ora.

Megjithëse sipas Eurostat këto rezultojnë edhe profesionet më pak të paguara në këto shtete të BE-së, sërish sipas të dhënave marrin gati dyfishi i menaxherëve në vendin tonë.

Por, Shqipëria qëndron shumë poshtë nivelit të pagave edhe krahasimisht me vendet e rajonit thuajse për të gjithë sektorët, me një pagë mesatare prej 440 euro në vitin 2020, teksa në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor paga mesatare kapërcen 600 euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA