Në korrik hapet tuneli i Skërficës/ Rruga e re Kardhiq-Delvinë, punimet ecin me shpejtësi

28/05/2021 15:15

Aksi Kardhiq-Delvinë me një gjatësi 37 km ka hyrë në një fazë të rëndësishme ku tani po gërmohet për çeljen e tunelit në qafën e Skërficës.

Ky aks e ka filluar punën në vitin 2007 pra plit 14 vite më parë ndërsa ritmi i punimeve dhe problemet që u hasën këtu kanë qenë të panumërta. Duket se përgjatë viteve të fundit ecuria e punimeve ka qenë më e mirë dhe është duke u avancuar me pikën kulmore që do të kalojë drejtpërdrejt përmes qafës së Skërficës.

Ardino Halimi: Ndodhemi në lotin numër 7 të rrugës Kardhiq-Delvinë. Ky lot përmban edhe tunelin e Kardhiqit siç e shihni. Tuneli është me një gjatësi 1,3 km si tunel kryesor dhe është i shoqëruar dhe me tunelin e emergjencës që të përmbushen kushtet e sigurisë. Është dashur një farë kohe për të bërë projektimin në mënyrë që të ishim sa më të saktë sepse bëhet fjalë për punime nëntokësore. Do të fillojmë me portalet sepse bëhet fjalë për punime masive në shkëmb. Me planifikimin jemi sipas afateve. Punimet kanë shkuar diku tek 60% dhe shpresojmë që nëse nuk do të ketë të papritura deri në mesin e korrikut tuneli do të jetë i hapur.

Ky aks pritet ti shërbejë interesave të turizmit në këtë zonë por edhe banorëve të më shumë se 20 fshatrave në luginën e Kardhiqit dhe atë të Rrëzomës në Delvinë. Banorët e këtyre zonave presin edhe zgjidhje që shkojnë në funksion të bujqësisë. Rrugët dytësore që shkojnë drejt fushave do të duhet të marrin zgjidhje si lehtësira krahas këtij aksi.

Top Channel