Ministri gjerman optimist për zgjidhjen e ngërcit Sofje-Shkup, që i hap rrugën dhe Shqipërisë

28/05/2021 12:43

Bashkimi Europian duhet të mbajë premtimet e veta dhe këtë e them në mënyrë autokritike, tha Ministri gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth gjatë vizitës së tij në Tiranë duke iu përgjigjur pyetjes së DW.

Kushtet janë përmbushur, pra, duhet të mbajmë fjalën, por Bashkimi Europian është i strukturuar në çështje qendrore pikërisht mbi arritjen e konsensusit. Të gjitha shtetet e Bashkimit Europian të mbajnë përgjegjësitë e tyre”, ishte komenti i tij.

Roth la të kuptohej se ka shpresa të kushtëzuara për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, (MV) e për një vendim pozitiv të Këshillit Europian lidhur me Konferencën e Parë Ndërministrore të BE për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe MV. Bullgaria bllokoi procesin e fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, pasi siç ishte apostrofuar nga Sofja zyrtare, Shkupi nuk përmbushi obligimet e marra nga marrëveshjet për fqinjësi të mirë, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me çështjen e gjuhës si dhe të kaluarën historike.

Në Bashkimin Evropian janë duke bërë përpjekje maksimale që deri në fund të muajit qershor të nisin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për të dyja shtetet, çështja e hapjes së negociatave ka ngelur në Këshillin e BE-së ku Bullgaria ka bllokuar miratimin e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe si pasojë, disa shtetet tjera, nuk kanë dashur që të miratohet as ajo për Shqipërinë.

Top Channel