Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, doli në një konferencë shtypi ku adresoi disa çështje të rëndësishme, duke përfshirë këtu të ardhmen e kapitenit të klubit, Lionel Messi, si dhe të trajnerit.
Numri një i “blaugranave” tha se bisedimet për rinovimin e kontratës së Messit po ecin mirë, por duke saktësuar se akoma nuk ka një marrëvështje. Gjigantët spanjollë kërkojnë dëshpërimisht që figura e tyre ikonike të qëndrojë në “Camp Nou”, pasi me mbarimin e kontratës ai është një lojtar i lirë. Barcelona po bën çdo përpjekje për të gjetur kushtet e reja me Messin, me Laportën që pranon se oferta më e mirë e mundshme i është bërë 6 herë fituesit te Topit të Artë.
“Kontrata e re e Messit po ecën mirë, por nuk është përfunduar. Ne duhet të vazhdojmë punën me të gjithë drejtuesit të përfshirë në këtë. Ne do të bëjmë një propozim që përmbush mundësitë e klubit. Raporti është i mirë. Ne po përgatisim gjithçka është e mundur dhe në mundësitë e klubit që Leo të vazhdojë me ne. Kemi bërë një ofertë brenda mundësive të Barçës. Me siguri që Messi meriton më shumë dhe mund të marrë më shumë, por për shkak të dëshirës që ka për ta bërë Barcelonën sërish të madhe, mendoj se ai i vlerëson përpjekjet e klubit dhe do të vazhdojë. Nuk është çështje parash, ka të bëjë me një projekt skuadre për të fituar gjithçka. Kemi optimizëm të moderuar”.
E ndërsa Barcelona punon për të mbajtur Messin, një tjetër pyetje është nëse do të jetë sërish Ronald Koeman në stol për sezonin 2021-2022. Ende nuk është marrë një vendim, por janë planifikuar bisedime me holandezin, që, në sezonin e tij të pare, fitoi Kupën e Mbretit.
“Ne respektojmë sezonin që patën dhe, siç i kemi thënë trajnerit, në fund do të vlerësojmë vendimet për të ardhmen. Gjithmonë kemi vepruar me respektin maksimal për Koeman, një profesionist që po bën punën e tij. Në fund do të vlerësojmë edhe atë se çfarë duhet të bëjmë sezonin e ardhshëm. Kemi organizuar një takim për javën tjetër. Ai ka një kontratë dhe ne po bëjmë vlerësimet. Ne kemi një marrëdhënie të drejtpërdrejtë dhe të pastër dhe ai është trajneri që tashmë është këtu nën kontratë”.
Top Channel