“Kafja e Madhe” është shembur/ Objekti monument kulture, nuk është mirëmbajtur

28/05/2021 15:12

Kafja e Madhe në Shkodër, godina historike për nga arkitektura por edhe rëndësia kulturore,  vendtakimi i të gjithë intelektualëve të kohës është shembur në kuadër të një projekti rikonstruksioni  dhe ajo çfarë ka mbetur është vetëm fasada.

Si një dëshmi e stilit austrohungarez e përdorur nga arkitekti Kole Idromeno. Për momentin punimet janë pezulluar. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore  në Shkoder tregon se shkak është bërë mos përfundimi i projektit brenda 12 muajve siç e parashikon ligji nr 27 i miratuar në vitin 2018 për trashëgiminë kulturore dhe muzetë.

Majlinda Laçaj: Projekti ka qenë ndërhyrje masive në godinë pasi ka qenë tërësisht e degraduar. Nuk ka shembje totale të godines pasi janë ruajtur fasada dhe muret anësore ashtu siç është parashikuar. Punimet janë pezulluar për shkak se projekti nuk ka përfunduar brenda 12 muajsh.

Top Channel ka kontaktuar me pronarin e Kafes së Madhe i cili pranon shembjen por me arsyetimin se pjesa e pasme e godinës ishte e degraduar dhe nuk ofronte siguri. Gjatë viteve të komunizmit, Kafja e Madhe, u shtetëzua ndërsa me ardhjen e demokracisë në vitet ’90, godina duhej t’u kthehej pronarëve. Trashëgimtarët nuk ranë dakord për ta ndarë. Në vitin 2000 Kafja e Madhe u mbyll tërësisht dhe në gjithë këto vite ajo ishte vetëm një godine e braktisur. Nëse do të rindërtohet sic ka qenë Shkodra do ta rifitojë sërish kafen simbol por nëse do të tjetërsohet, qyteti do të humbasë shtëpinë e elitës shkodrane.

Top Channel