Policia aksion në Thumanë, gjen fidanë të dyshuar kanabis. Arrestohen 6 persona, 1 shpallet në kërkim

27/05/2021 08:45
Foto Ilustruese

Policia e Krujës ka vënë në pranga 6 persona, ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 2 të tjerë, si dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi janë kapur në tentativë për të kultivuar bimë narkotike.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se në Thumanë, në fshatrat Shalqet dhe Larushk, Policia ka konstatuar në tokat në pronësi të këtyre shtetasve, kubikë dhe fidanë të dyshuar me kanabis.

Mbi gjashtë personat e arrestuar rëndon vepra penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.

“Janë vënë në pranga shtetasit Xh. B., banues në Shalqet; E. B., banues në Shalqet; Y. H., banues në Halil; Xh. N., banues në Thumanë; B. N., banues në Thumanë dhe V. l., banues në Larushk.

Njëkohësisht ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit A. N., banues në Thumanë, për veprën penale “Moskallëzim krimi” dhe G. L., banues në Larushk, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi A. B., dhe po punohet për kapjen e tij”, njofton policia.

Materialet procedurale në lidhje me këtë rast do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel