Antony Blinken përfundoi vizitën e tij të parë si sekretar amerikan i shtetit në Lindjen e Mesme, ku shkoi për të mbështetur armëpushimin në Gaza. Ai u përpoq gjithashtu të konsolidonte marrëdhëniet dhe të siguronte shpërndarjen e ndihmës pas dhunës midis Izraelit dhe Hamasit që shkaktoi vdekjen e më shumë se 250 vetëve, shumica palestinezë.
Udhëtimi i parë i Sekretarit Blinken në Lindjen e Mesme si sekretar i shtetit erdhi vetëm disa ditë pas një armëpushimi të brishtë në Gaza, ku një ofensivë izraelite në përgjigje të sulmeve vdekjeprurëse të raketave të Hamasit la shumë të vdekur dhe shkatërroi shumë ndërtesa.
Fokusi i bisedimeve të zotit Blinken këtë javë me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe Presidentin Palestinez Mahmoud Abbas ishte se si SHBA mund të mbështesin armëpushimin e ndërmjetësuar nga Egjipti dhe të ndihmojnë në rindërtimin e Gazës.
“Ne e dimë që për të parandaluar kthimin e dhunës, duhet të përdorim hapësirën e krijuar për të adresuar një grup më të madh çështjesh dhe sfidash themelore. Dhe kjo fillon me trajtimin e situatës së rëndë humanitare në Gaza dhe fillimin e rindërtimit”, tha zoti Blinken.
Angazhimi i SHBA-së për të rimëkëmbur Gazën ngriti pyetjen se si mund t’i shkonte ndihma civilëve pa rënë në duart e Hamasit që kontrollon territorin palestinez dhe i përcaktuar si grup terrorist nga SHBA.
“Unë do të punoj ngushtë me partnerët tanë, me të gjithë, për t’u siguruar që Hamasi të mos përfitojë”, tha zoti Blinken.
Zyrtarët amerikanë sugjerojnë përfshirjen e Kombeve të Bashkuara dhe Autoritetit Palestinez për të anashkaluar Hamasin. Disa vëzhgues izraelitë janë skeptikë.
“Nuk shoh ndonjë mekanizëm që do të lejonte Amerikën të anashkalonte Hamasin përmes Autoritetit Palestinez”, thotë Alon Pinkas, ish-Konsull i Përgjithshëm i Izraelit në New York.
SHBA dhe Izraeli duan që fondet të mos kalojnë përmes Hamasit. Zoti Pinkas thotë se përpara luftimeve të fundit, Katari po dërgonte 30 milion dollarë në muaj në Gaza – përmes një kalimi kufitar izraelit. Zyrtarët izraelitë të mbrojtjes po bëjnë thirrje që kjo të marrë fund.
“Rekomandimi i ushtrisë – i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit – për kryeministrin ka qenë që të ndërpritet lidhja e drejtpërdrejtë që ka Katari me Hamasin në lidhje me sigurimin e parave dhe që kjo të kalojë në një proces filtrimi. Por zoti Netanyahu nuk ua vuri veshin këshillave”, thotë zoti Pinkas.
Gjatë udhëtimit të tij, zoti Blinken tha se do të kërkonte 75 milion dollarë nga Kongresi për të siguruar ndihmë ekonomike për popullin palestinez.
Autoriteti Palestinez e përshëndeti këtë angazhim si një fillim të mirëpritur në rindërtimin e marrëdhënieve, të cilat arritën në një pikë historikisht të ulët, nën administratën e Presidentit Trump, i cili zhvendosi ambasadën e SHBA-së në Izrael në Jeruzalem dhe shkurtoi fondet për agjencitë e OKB-së që mbështesnin palestinezët.
Nga pala izraelite, luftimet e fundit në Gaza po nxisin një rivlerësim të politikës së Izraelit ndaj Hamasit.
“Politika e Izraelit vitet e fundit ishte të dobësonte Autoritetin Palestinez, të ndante dhe të sundonte Palestinezët midis Bregut Perëndimor dhe Gazas, dhe në mënyrë indirekte të forconte ose ta ruante fuqinë e Hamasit që të parandalonte çdo proces kuptimplotë të paqes. Nuk po them që mund të kishte një proces të tillë, por ta parandalonte në mënyrë të përhershme”, thotë zoti Pinkas.
Ndërsa SHBA përpiqet të rivendosë marrëdhëniet me udhëheqjen palestineze, Sekretari Blinken vazhdon përpjekjet për të kthyer një armëpushim të paqëndrueshëm në Gaza në një armëpushim më të qëndrueshëm./voa
Top Channel