Pandemia shtoi kreditë me probleme/ Në kulmin e infektimeve individët nuk po paguanin këstet

27/05/2021 20:07

Kreditë me probleme zbritën në 8% në fund të muajit mars, duke shënuar nivelin më të ulët që prej vitit 2009.

Por, me gjithë trendin rënës në tërësi, ajo që vihet re nga të dhënat e bankës qendrore është një rritje e lehtë e kredive me probleme për individët për shkak të krizës së pandemisë.

Rritja më e madhe e tyre ka ardhur pas muajit gusht me përfundimin e moratoriumit 6-mujor për shtyrjen e kësteve të kredive, duke bërë që në tetor raporti i kredive me probleme për këtë segment të arrijë në 5.8%, për t’iu rikthyer më pas rënies në muajt pasardhës.

Eksperti për ekonominë, Arbi Agalliu, shpjegon edhe faktorët që kanë ndikuar në rritjen e tyre.

“Është tregues shumë pozitiv fakti u uljes së kredive me probleme pasi tregon një lloj pjekurie dhe qëndrueshmërie të bizneseve, por patjetër shtresa më vulnerabël e kredimarrësve janë pikërisht individët të cilët iu drejtuan sektorit bankar më tepër për kredi personale dhe jo për kredi hipotekore siç quhet, kredi për të blerë një apartament. Në këtë kontekst lidhet ngushtë më pandeminë, reduktimin e vendeve të punës, reduktimin e pagës që ata merrnin patjetër që pati problem thelbësore në të ardhurat e tyre. Në këtë kontekst këto faktorë janë reflektuar ndjeshëm dhe ndikim patjetër dha edhe moratorium që mori banka për shtyrjen e kësteve të kredive”,tha  Agalliu, ekspert për ekonominë.

Eksperti Agalliu shpjegon se efektet e krizës vazhdojnë të ndjehen dhe niveli i kredive me probleme në muajt në vijim do të varet shumë nga ecuria e ekonomisë.

“Sot ne jemi në një nivel tjetër, në një nivel ku rikthehet normaliteti në sistemin bankar sa i përket pagesës së kësteve, por kemi jo normalitet në ekonomi. Kemi mungesë të likuiditetit fatkeqësisht, kemi ulje të investimeve, tkurrje të konsumit, por duke shpresuar që me ardhjen e verës pritet gjallërim i turizmit, do të vijë likuiditet nga jashtë kufijve dhe të kthehet normaliteti sa i përket pjesës së qarkullimit të kapitalit”, Arbi Agalliu, ekspert për ekonominë

Pavarësisht se viti 2020 goditi bizneset dhe të ardhurat e individëve, kjo nuk u reflektua në rritjen e kredive me probleme. Përkundrazi, vendimi për shtyrjen në kohë të kësteve të kredive ku u ristrukturuan rreth 2 miliardë euro hua, bëri që niveli i tyre të ishte i qëndrueshëm në rreth 8.2%.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA