“Nuk ju lejojmë”, Kina kundërshton hetimin amerikan për origjinën e koronavirusit

27/05/2021 16:14

Kina i kundërshtoi hetimet e paralajmëruara amerikane për origjinën e koronavirusit, duke akuzuar Uashingtonin se po përpiqet të politizojë kërkimet.

Presidenti Joe Biden i kërkoi më herët agjensive amerikane të inteligjencës të “dyfishojnë përpjekjet e tyre” për të përcaktuar origjinën e koronavirusit, çka përbën një kthesë të beftë nga pozicioni i mëhershëm i Shtëpisë së Bardhë për t’u mbështetur tek Organizata Botërore e Shëndetësisë në përpjekjet për të zbuluar fillesat e sëmundjes.

Teoria që ka marrë një hov të ri kohët e fundit është se e pandemia – që ka kushtuar deri më tani 3.4 milionë jetë njerëzish në mbarë botën- mund të jetë pasojë e daljes aksidentale të virusit nga Instituti i Virologjisë ne Wuhan, edhe pse kjo nuk është përfundimtare.

Biden i urdhëroi zyrtarët e inteligjencës të hartojnë brenda 90 ditësh një raport, i cili të hedhë dritë mbi zanafillën e makthit që ka përjetuar globi prej një viti e gjysmë. Por zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, e akuzoi Washingtonin se po përpiqet të fajësojë Kinën për pandeminë dhe mbrojti qëndrimin tashmë të njohur kinez se, koronavirusi nuk ka dalë nga laboratori.

Ai kujtoi se ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dolën në muajin shkurt në përfundimin se dalja e virusit nga laboratori ishte “krejtësisht e pamundur”.

Ai raport ngjalli reagime të ashpra ndërkombëtare teksa ekipi i OKB-së i mbështeti verifikimet e tij kryesisht mbi kampionet e të dhënat e ofruara nga vetë kinezët. Duke cituar një raport të inteligjencës amerikane, The Wall Street Journal raportoi të dielën se tre persona nga Instituti i Virologjisë në Wuhan u shtruan në spital me një sëmundje në nëntor të vitit 2019, një muaj para se Pekini të njoftonte shpërthimin e epidemisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA