Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ka zhvilluar një vizitë në shkollën 9-vjeçare “Fadil Gurmani” të qytetit të Elbasanit.
“Çfarë kënaqësie dhe emocionesh mora gjatë vizitës në shkollën 9-vjeçare “Fadil Gurmani” në Elbasan, ku u njoha jo vetëm me nxënës të jashtëzakonshëm, por edhe me mësues shumë të përkushtuar në punën e tyre”, nënvizon në publikimin e saj, Ministrja Kushi.
Në shkollën 9-vjeçare “Fadil Gurmani”, Znj. Kushi ka takuar Enkileda Carjen, nxënëse e klasës së 7-të dhe disa herë kampione në garat kombëtare të peshëngritjes:
“Takova nxënësen e klasës së 7-të Enkileda Carja, disa herë kampione gjatë viteve të fundit në garat kombëtare të peshëngritjes për të rinjtë dhe jam optimiste për suksesin e saj edhe në garat e ardhshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo është një model shumë i mirë frymëzimi për bashkëmoshatarët e saj, sepse është jo vetëm një sportiste e talentuar, por edhe një nxënëse shembullore”, shprehet ajo.
Ndërkohë, Ministrja Kushi ka pasur mundësinë të njihet edhe me projektin “Underadio” pranë kësaj shkolle, i cili është një projekt që mbështetet nga organizata jo-fitimprurëse “Save the Children” dhe zbatohet 5 qytete të Shqipërisë duke u dëgjuar çdo ditë në adresën e radios në kanalin “YouTube”:
“Njëkohësisht, e pranova me kënaqësi ftesën edhe për një intervistë ekskluzive nga nxënësit e shkollës në kuadër të projektit “Underadio”, një “radio nga nxënësit për nxënësit” ku ata flasin për tema që lidhen me mjedisin, rolin e tij për shëndetin dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve”, tha Ministrja Evis Kushi.
Top Channel