Prej vitesh një temë e nxehtë e shëndetit publik, edhe Shqipëria ka organizimin e saj të rëndësishëm për reduktimin e riskut.

Reduktimi i riskut, ose reduktimi i dëmit, janë një sërë metodash të shëndetit publik për të zvogëluar pasojat negative sociale apo shëndetësore të lidhura me sjelljet njerëzore, si ato të ligjshme, ashtu edhe ato të paligjshme. Shumë prej tyre, mund të ndikojnë direkt në jetën e gjithësecilit.

Këto u diskutuan në Konferencën virtuale të Reduktimit të Riskut ditën e premte, e organizuar nga Shoqata Kombëtare e Shëndetit Publik. Eventi u ndoq online në Zoom nga mbi 150 pjesëmarrës, duke shënuar një sukses në lidhje me këtë temë, e cila meriton vëmendje veçanërisht në periudha të vështira si këto.

Duke nisur që nga politikat që lidhen me duhanin, reduktimi i riskut ndikon direkt në përpjekiet e duhanpirësve për të lënë duhanin, duke i lehtësuar ato përmes promovimit të alternativave pa tym (pa djegie) si edhe duke i trajtuar këto produkte legjislativisht si një kategori më vete dhe thelbësisht e ndryshme nga cigaret me djegie. Këtu u ndal gjatë konferencës, eksperti i njohur i shëndetit publik, Dr. Roland Shuperka.

“Po t’u referohemi produkteve me ngrohje, rezultati [për ta lënë duhanin] ka qenë 59,7% deri në 74% në vitet 2019-2020”, u shpreh Dr. Shuperka, “Dhe parlamenti, dhe qeveria, duhet të dëgjojnë specialistët e shëndetit, me qëllim që të prodhojnë politika lehtësuese për produktet me ngrohje. Në këto kushte, në rast se nuk ndërmarrim politika lehtësuese, do të na duhen 10 vjet që të reduktojmë duhanin.”

Por, ku e ka fjalën Shuperka kur thotë se produktet me ngrohje, alternativa që nuk e djegin duhanin, por e ngrohin atë, duhet të mbështeten nga ligjvënësit? Ai kujtoi se në 2006-ën, ishte vetë pjesë e grupit përpilues të ligjit në lidhje me duhanin, por sipas tij, tanimë ky ligj është bërë copa-copa, për shkak të ndërhyrjeve të shpeshta, dhe ka nevojë që të rishkruhet në përshtatje me situatën e re të alternativave të duhanit.

“[…] për këto produkte duhani me ngrohje, që ndihmojnë duhanpirësin të lërë duhanin, dhe njëkohësisht nuk krijojnë shqetësim për ambientin rrethues, sepse nuk kanë djegie dhe tym dhe katran, atëherë duhen krijuar politika mbështetëse.”, u shpreh Shuperka, “Ka ardhur koha që të zerohet përdorimi i duhanit me djegie.”, tha ai.

Një aspekt tjetër sesi reduktimi i dëmit mund të na përmirësojë jetën, është ai që lidhet me endokrinologjinë, dhe më veçanërisht me diabetin, për të cilin janë shfaqur prej kohësh alternativa tëëmbëlsuesve. Edhe në këtë rast, siç theksoi endokrinologu i njohur Dr. Dashamir Gjergji, është e rëndësishme që të reduktohet pirja e cigareve.

“Që ne të parandalojmë diabetin duhet të marrim sa më shumë karbohidrate natyrale, të ushtrohemi çdo ditë fizikisht”, u shpreh endokrinologu i njohur, Dr. Dashamir Gjergji, “Ndërprerja e cigares dhe duhanpirjes është një element bazë në këtë aspekt.”

Po kështu ndikon reduktimi i dëmit të duhanit edhe tek lëkura. Dr. Erjona Shehu theksoi rëndësinë që ka të lënit të duhanit për cilësinë e lëkurës sonë dhe, për ata të cilët e kanë të pamundur, së paku zëvendësimi i cigareve me alternativa pa tym, në mënyrë që tymi të mos ndikojë në lëkurë.

“Alternativa më të sigurta të miratuara edhe nga legjislacionet përkatëse, mund të përmirësojnë shëndetin publik dhe, në interesin e kësaj që po flasim, edhe cilësinë dhe shëndetin e lëkurës sonë.”, u shpreh Dr. Shehu.

Reduktimi i riskut mund të shpëtojë jetë kur vjen fjala për virusin HIV, veçanërisht politikat që kanë të bëjnë me përdoruesit e drogërave opiate.

“Sot, ndërhyrjet e zvogëlimit të dëmit, siç janë programet e shkëmbimit të ageve apo shiringave, apo trajtimi zëvendësues i opiateve, apo siç quhet ndryshe terapia mbajtëse me metadon, konsiderohen standarte të arta ndërkombëtare për të parandaluar transmetimin e infeksionit HIV apo edhe të hepatiteve tek ata që përdorin drogëra intravenoze.”, u shpreh infeksionisti Dr. Arjan Harxhi.

Edhe për sëmundjet e mëlçisë, reduktimi i dëmit ka rol të drejtpërdrejtë për të parandaluar zhvillimin e Hepatokarcinomës. Gastroenterologu i njohur, Dr. Jovani Basho, sugjeron trajtimin e vazhdueshëm të hepatiteve C dhe B.

“Dëmtimet nga virusi C dhe virusi B, janë ato që e çojnë pacientin drejt HCC-së”, u shpreh Dr. Basha, “Njohja e mirë dhe në kohë e dëmtimeve nga virusi B dhe virusi C është një element shumë i rëndësishëm që të parandalohet shfaqja e saj.”

Në përgjithësi, siç vuri në dukje dhe Dr. Adrian Hoxha, drejtues i Shoqatës Kombëtare të Shëndetit Publik, janë ndryshimet në stilin e jetesës ato që kontribuojnë në reduktimin e riskut, apo në reduktimin e dëmit.

“Shpeshherë, mund të hasim pacientë me sëmundje pulmonare kronike, të cilët vazhdojnë të pinë duhan”, tha Dr. Hoxha, “Ose pacientë me diabet, të cilët vazhdojnë të konsumojnë çokollata. […] Në të gjitha këto raste, nevoja për të ndryshuar stilin e jetës, mund të jetë e qartë si një detyrë e mjekut dhe pacientit, edhe pse shpeshherë, ndryshimi i sjelljeve të tyre mund ta ketë të pamundur për të ndryshuar pasojat e sjelljes së tij.”

Top Channel