Procesi i Rindërtimit në lagjen e re të Kombinatit po ecën me ritme të shpejta, në mënyrë që të gjitha familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 të futen në apartamentet e pallateve të reja, që po ringrihen nga e para, në po atë zonë.
Drejtori i Përgjithshëm i Bashkëpronësisë në Bashkinë e Tiranës, Aurel Çuko dhe Administratori i Njësisë 6 Adriatik Merko, inspektuan procesin e demolimit të pallateve të dëmtuara rëndë nga tërmeti i nëntorit 2019 në Kombinat, të cilat janë shpallur të pabanueshëm dhe të rrezikshëm nga Instituti i Ndërtimit. Ky proces pritet të mbyllet brenda 3 muajsh.
“Sot jemi në Kombinat, ku po vazhdojmë me procesin e demolimit, proces që ka filluar prej disa kohësh. Këtu jemi në pallatin nr. 155. Është një pallat relativisht i madh dhe besojmë se fazën e parë në Kombinat e mbarojmë brenda pak ditëve. Në total ne kemi 198 pallate, të cilave u kemi bërë akt-ekspertizë të thelluar. 111 janë për t’u demoluar dhe vetëm në Kombinat janë për t’u demoluar 67 pallate. Besoj se brenda 2-3 muajve e përfundojmë procesin e demolimit,” u shpreh Çuko.
Nga ana tjetër, ai tha se ky proces po ecën me mirëkuptim të plotë të banorëve. “Me procesin e evakuimit kemi nisur prej kohësh. Kemi mirëkuptimin e të gjithë komunitetit. Kemi lëvizur gjithë plaçkat, orenditë e pajisjet shtëpiake, ndaj nuk kemi asnjë lloj konflikti për ecurinë e këtij procesi,” deklaroi ai.
Ndërsa, administratori i Njësisë 6, Adriatik Merko, tha se paralelisht me këtë proces po ecet edhe me shpronësimet e banorëve dhe bizneseve.
Top Channel