Është përmbyllur në Kizhevak të Rashkës, Serbi, procesi i gërmimeve vlerësuese dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.
Procesi i gërmimit dhe zhvarrimit të mbetjeve mortore në këtë lokacion është realizuar në dy faza, nga 30.11.2020 – 09.12.2020 (faza I) dhe nga 05.05.2021 – 26.05.2021 (faza II).
Nga data 5 maj, kur kanë rifilluar gërmimet në këtë lokacion, është bërë vlerësimi i plotë i tërë lokacionit të shënjuar të varrezës masive dhe është bërë zhvarrosja e të gjithë eshtrave të viktimave të luftës që kanë qenë në këtë lokacion.
Në bazë të ekzaminimit antropologjik është konstatuar se numri minimal i individëve të zhvarrosur është nëntë (9), prej të cilëve dy janë të identifikuar, përmes metodës së ADN-së, në fazën e I-rë të procesit të zhvarrimit.
Pjesë e gërmimeve ishin ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, në emër të Delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, krahas ekspertëve të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ekspertëve të EULEX-it, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, si dhe institucioneve të Serbisë.
Gjatë këtyre javëve, lokacioni i varrezës masive në Kizhevak, Serbi, është vizituar edhe nga familjarët e personave të zhdukur dhe nga një delegacion i lartë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nga Gjeneva të shoqëruar nga përfaqësuesit e dy delegacioneve në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional familjeve tëtyre dhe vendosjen e drejtësisë.
Top Channel