Nesër lehtësohen kufizimet e lëvizjes/ Kryeministri Rama: Vendimi për të ndihmuar turizmin

26/05/2021 15:15

Me çeljen e sezonit turistik, Komiteti Teknik i Ekspertëve për situatën Covid shpall të enjten lehtësimin e masave ku heqja plotësisht e orës policore po diskutohet nga ekspertët edhe pse me shumë rezerva.

Lehtësim të masave ka paralajmëruar edhe kryeministri Edi Rama, i cili vizitoi cadrën e vaksinimit në sheshin “Skënderbej”, ku këtë mërkurë nisi vaksinimi i punonjësve të transportit publik qytetas.

Janë rreth 5 mijë punonjës të transportit publik të cilët kanë nisur të vaksinohen me vaksinën ruse Sputnik. Por ndërkohë në sheshin “Skënderbej” vaksinohen me Coronavac qytetaret që kanë për të marrë dozën e dytë dhe me AstraZeneca ata të cilët marrin dozën e parë të vaksinës. Por pavarësisht shifrave në ulje të të infektuarve me Covid, ekspertë të shëndetësisë thonë se duhet të vijojmë të bëjmë kujdes pasi virusi nuk është zhdukur dhe nuk dihet ende sjellja e tij në muajt në vazhdim, gjë të cilën e shprehu edhe kryeministri Rama, ndonëse optimist për ecurinë e procesit të vaksinimit në vend.

Me mbërritjen e një tjetër sasi vaksinash nga Sinovac pritet të ulet edhe fasha e moshës 50-60, ku deri më tani janë vaksinuar ata me disa diagnoza sipas rekomandimit të mjekut.

Top Channel