Mbyllen spitalet Covid/ Në Durrës dhe Shkodër po trajtohen pacientët e fundit

26/05/2021 13:27

Pavijoni Covid-19 në spitalin e Durrësit, me 70 shtretër në dispozicion të sëmurëve është drejt mbylljes pasi aktualisht është vetëm një pacientë i shtruar, i cili edhe pse ka rezultuar negativ ndaj koronavirusit po trajtohet për shqetësime post Covid.

Në spitalin e Durrësit, pavijoni Covid u hap në shkurt të këtij viti, atëherë kur numri i infektimeve ishte mbi 1100 raste në ditë, në shkallë vendi. Dhjetëra të sëmurë u trajtuan në këtë spital. Aktualisht pavijoni është i hapur duke trajtuar pacientin e fundit, por nuk do të pranohet më asnjë pacientë, pasi urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë është që të gjithë pacientët të trajtohen në spitalin Covid 1. Aktualisht në qarkun e Durrësit rezultojnë vetëm 9 raste aktive me Covid.

Situata është drejt përmirësimit dhe pas urdhrit të Shëndetësisë edhe spitali Covid në Shkodër është drejt mbylljes. Aktualisht është vetëm një pacientë i shtruar, një grua e cila po merr mjekimet e nevojshme dhe ditën e nesërme pritet të lërë spitalin dhe kështu nesër spitali i Shkodrës do të konsiderohet i mbyllur.

Shtrimet në repartin e urgjencës janë të pakta, sipas drejtuesve të spitalit që nga shkurti deri më sot janë rreth 350 persona të cilat kanë marrë kurim të përditshëm ndaj Covid-19. Situata është në përmirësim në të gjithë Shkodrën, një pjesë e mirë e popullatës kanë fituar imunitet, ndërkohë që shifrat e të vaksinuarve janë të mëdha, mbi 42 mijë persona të vaksinuar.

Top Channel