Grabitja në Shënkoll/ Flet kryetarja: Gjetëm dyert e shkatërruara, kanë vjedhur 2 aparate fotografike

26/05/2021 10:23

Kryetarja e njësisë administrative Shënkoll, Lina Guri ka treguar se kanë gjetur dyert e shkatërruara nga vjedhja që ka ndodhur mbrëmë në zyrat e Shënkollit.

Guri thotë se gjithçka është konstatuar nga specialistja e zyrës së aleatit që mbërrin e para në punë dhe ka parë që i është hapur dera menjëherë. Ndërsa kamera vëzhgimi ka vetëm në zyrën e gjendjes civile dhe nuk kanë roje, ndaj mbetet e paqartë se kush janë autorët. Megjithatë, nuk është prekur asnjë dokument.

“E kemi konstatuar në orën 8 pa 5. Në këtë njësi administrative shërbehet dhe qendra shëndetësore prej një viti, është zyra e aleatit që shërben për njësitë e bashkive Lezhë, Shënkollë, Kelmend dhe zyrat e specialistëve që shërbejnë për komunitetin tonë.

Nuk e dimë nga kanë hyrë, por është dëmtuar vetëm prona. Dyer që janë shkatërruar, sirtare tavolinash, janë marrë 2 aparate fotografike tek zyra e aleatit dhe asgjë tjetër. Kamera vëzhgimi ka vetëm zyra e gjendjes civile. Nuk kemi roje. Ishim bashkë me policinë, nuk ka pasur asnjë dëmtim në dokumente. Dyert janë të shkatërruara. S’e nga kanë hyrë nuk e dimë, për momentin specialistja e zyrës së aleatit, sa ka futur çelësin, është hapur dera menjëherë. Kanë qenë më shumë se 50 të moshuar që duhet të bënin vaksinën dhe u kthyen mbrapsht”, tha Guri.

Shërbimet e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po hetojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Top Channel