“Gati për Shqipërinë”/ Rama bën publike aplikimet e studentëve të shkëlqyer: Jam i frymëzuar!

26/05/2021 12:46

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për numrin e madh të aplikimeve për të kontribuar në fusha të ndryshme në vendin tonë.

Rama ka bërë publike dy aplikime që janë bërë në adresën “gatipershqiperinë@kryeministria.al” ku tregojnë që kanë kryer studimet jashtë vendit me rezultate të shkëlqyerja dhe kërkojnë të kontribuojnë në fushën e arsimit në Shqipëri, në atë të kërkimit shkencor apo në fusha të tjera.

Shkrimi i Ramës

GATI PËR SHQIPËRINË

Jam shumë i inkurajuar, madje i frymëzuar është fjala e duhur, jo thjesht nga numri i interesimeve të ardhura në adresën gatipershqiperinë@kryeministria.al po nga përmbajtja shpresëdhënëse e një pjese jo të vogël të aplikimeve

Thirrja është e hapur dhe koordinatorët e kësaj nisme, vazhdojnë të mbledhin e të sistemojnë sipas kategorive aplikimet çdo ditë. Prandaj cilido që dëshiron të përfshihet është i mirëpritur të sjellë interesimin e vet.

Më poshtë dy aplikime të thjeshta, të cilat postohen pa emër për të mos bezdisur autorët e tyre, por vlejnë mbase për të krijuar një ide të natyrës së aplikimit. Siç u është bërë e ditur me e-mail të gjithë të interesuarve, kontaktet eksploruese me ta do të nisin menjëherë pas 31 majit

* * *

-“Kam mbaruar studimet bachelor ne degen Informatike Ekonomike me mesatare 9.8, dhe jam perzgjedhur per te studiuar ne universitetin NTNU ne Norvegji gjate studimeve bachelor. Kam zhvilluar studimet master (shkencor) ne Siguri Informacioni ne Fakultetin e Ekonomise me mesatare 10 dhe master (shkencor) ne Information Systems ne Lund University, Suedi. Aktualisht vazhdoj doktoraturen ne Universitetin e Oslos, Norvegji dhe punoj si kerkuese shkencore ne Ostfold University College, Norvegji.

Doja te shprehja gatishmerine time per te kontribuar ne fushen e arsimit te larte dhe kerkimit shkencor ne Shqiperi”.

-“Kam jetuar mbi 15 vjet në Amerikë, ku kam kryer edhe studimet e larta. Tre vite më parë jam kthyer në Shqipëri dhe deshiroj vërtetë të jap një kontribut të prekshëm për vendin tim. Kam përfunduar studimet e Bachelor në University of California, Los Angeles për Shkencat Politike, Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Frengjisht. Në Korrik, përfundoj Masterin Shkencor në Northeastern University për Studimet Globale, Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Ekonomi Ndërkombëtare dhe Konsulencë. Në eksperiencën time profesionale, kam punuar me Delegacionin e Bashkimit Evropian si dhe me Organizatën Ndërkombëtare të Migracionit (IOM). Kam shumë deshirë të përfshihem në projekte që lidhen me politikën e jashtme të vendit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe negociatat me Bashkimin Evropian”.

Top Channel