Fermerët e fshatit Drenovicë ngrihen në protestë: S’kemi ujë për vaditje, po falimentojmë

26/05/2021 10:28

Fermerët e fshatit Drenovicë të njësisë administrative Dimal kanë kohë që vuajnë problemin e vaditjes së serave që janë të mbjella me domate, tranguj, speca etj.

“Nuk na hapin portën e çeliktë që të vadisim dhe ne. Uji i lumit shkon deri në një pjesë të fshatit që i furnizon me ujë për të vaditur, ndërsa tek ne nuk e lëshojnë. Kjo për arsye sepse disa nga fermerët nuk kanë paguar taksat , dhe nga këta penalizohemi dhe ne.

Ne jemi taksa pagues të rregullt nuk i kemi asnjë lek borxh bashkisë së Dimalit, prandaj ne duam që të na furnizojnë me ujë për të vaditur serat tona të cilat janë drejt tharjes. Sic shihet dhe nga kamera serat me domate janë tharë, kjo sepse duhet të vaditen. Prandaj i bëjmë thirrje bashkisë Dimal që të zgjidhin këtë problem sepse jemi drejt falimentimit.

Prodhimet tona nuk bëjnë më as për të nxjerr në treg, ato janë tharë. Kemi investuar shumë për të mbjell serat, por tani ne s’kemi as ujin për të vaditur. Nëse bashkia e Dimalit nuk e zgjidh këtë problem për dy ditë çdo gjë në të mbjellat tona merr fund më pas do i drejtohemi ministrisë të Bujqësisë”, shprehen banorët të shqetësuar.

Top Channel