Dhunë fizike ndaj të afërmve, vjedhje dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur, arrestohen 9 persona në Tiranë

26/05/2021 08:45

Nëntë persona janë vënë nën prangat e policisë në Tiranë, për vepra të ndryshme penale.

Një 49-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj dy të afërmve të tij.

Policia bëri të mundur arrestimin e shtetasit E.K., pasi Gjykata e Kavajës e ka dënuar me 1 vit burg për veprën penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt”.

Ndërkaq, një 41-vjeçar është vënë nën pranga pasi ka vjedhur disa pajisje në banesën e shtetasit Sh.D., ndërsa të rejat, shtetaset A. Sh., 28 vjeçe dhe J. U., 24 vjeçe u kapën duke vjedhur disa produkte të një dyqani.

Po ashtu, policia vuri në pranga 4 persona për drejtim automjeti pa leje përkatëse dhe në gjendje të dehur.

Njoftimi i policisë:

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Y. S., 49 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj dy të afërmeve të tij.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë bënë ndalimin e shtetasit E. K., 39 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kavajë, e ka dënuar me 1 vit burg dhe i kanë mbetur për të vuajtur dhe 3 muaj e 11 ditë burg, për veprën penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt”;

Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. M., 41 vjeç, pasi ka vjedhur disa pajisje në banesën e shtetasit Sh. D. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas është autor i 3 vjedhjeve të tjera banesash në Qarkun e Kavajës.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve A. Sh., 28 vjeçe dhe J. U., 24 vjeçe, pasi në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë vjedhur disa produkte të një dyqani.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve :

S. A., 20 vjeç, G. Q., 19 vjeç dhe A. S., 21 vjeç, pasi janë kapur duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse;
D. K., 48 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur në masën 0.76 mg/l.

Top Channel