Deklarata e ministres serbe për spastrimin etnik të Kosovës, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i kërkon Shqipërisë të ngrejë çështjen në institucionet ndërkombëtare dhe të reagojë ndaj Beogradit
Pas mbështetjes publike të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, në mbrojtje të banorëve të Zall Herrit, ka reaguar edhe Bashkia e Tiranës. Në një deklaratë për media Bashkia i bën apel Presidentit Meta që të mos pengojë futjen e banorëve të prekur nga tërmeti në Zall Herr në shtëpitë e tyre të reja.
Në deklaratë thuhet se aktet e fundit të Presidentit të Republikës minojnë qëllimisht një proces për të cilin, si Qeveria, edhe Bashkia e Tiranës, po e çojnë përpara me sukses, për të strehuar secilën nga familjet e prekura nga tërmeti tragjik i nëntorit 2019.
“Bashkia e Tiranës vëren me keqardhje se Presidenti i Republikës vijon të nxisë, sipas një plani të përcaktuar, shërbëtorë të partisë së tij, për të penguar dhe prishur procesin e rindërtimit në Zall-Herr, duke vonuar me dashje, edhe më tej, futjen në shtëpitë e reja të banorëve të zonës, të cilët po presin me padurim të marrin banesat e tyre. Aktet e fundit të Presidentit të Republikës minojnë qëllimisht një proces për të cilin, si Qeveria, edhe Bashkia e Tiranës, po e çojnë përpara me sukses, për të strehuar secilën nga familjet e prekura nga tërmeti tragjik i nëntorit 2019. Yshtja e militantëve të LSI-së, që hiqen gjoja si banorë të zonës, për t’i siguruar Presidentit postimin dhe lajmet e radhës në portale, është e turpshme, kriminale dhe duhet të ndiqet nga organet hetimore”, thuhet në reagimin e Bashkisë.
Më tej, Bashkia e Tiranës nënvizon se familjet e Zall Herrit, të prekura nga tërmeti, do të marrin në pronësi shtëpitë e reja, në një lagje të ndërtuar posaçërisht për ta, me infrastrukturë dhe shërbime model, në tokë që është në pronësi të Bashkisë së Tiranës, njësoj si banorët e Ndroqit apo Vaqarrit.
“Një President, i cili i ka pajisur vilat e tij me nga 9 banjo për macen, por s’ka marrë mundimin të ndërtojë qoftë edhe një shtëpi për një familje nga Zall-Herri, nuk ka asnjë të drejtë të bllokojë dhe pengojë punën për rindërtimin e shtëpive të familjeve të prekura nga tërmeti. Shqiptarët e dhanë mesazhin e tyre për këtë President në 25 prill, ndaj s’është nevoja dhe nuk do të lejohet që ky të hakmerret ndaj tyre duke u penguar ndërtimin e shtëpive”, theksohet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës.
Top Channel