“33 mln lekë dëm vetëm në një kompani”/ Kapen 2 të rinjtë që bënin “kërdinë”, vidhnin të dhëna kartash bankare për të blerë online

26/05/2021 10:15
Foto ilustruese

Dy të rinj kanë rënë në pranga dhe pesë persona janë proceduar për vjedhje dhe përdorim të të dhënave të kartave bankare.

Operacioni i koduar “Smartphone” është zhvilluar nga Njësia për  Hetimin e Krimeve kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe ka nisur pas vlerësimit të situatës kriminale të krijuar gjatë katërmujorit të parë të vitit, si dhe pas një kallëzimi të bërë nga një kompani e telefonisë së lëvizshme.

“Pas kryerjes së hetimeve nga Njësia për  Hetimin e  Krimeve Kibernetike ka rezultuar se një shtetas, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë përdorur të dhëna kartash bankare të cilat dyshohet se janë vjedhur nga shtetas të ndryshëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim për të përfituar financiarisht duke blerë pajisje të telefonisë së lëvizshme”, njofton Policia.

Po ashtu bëhet e ditur se dëmi i shkaktuar në vetëm një kompani kap vlerën e 33.000.000 lekësh, ndërkohë dyshimet janë se dëme të konsiderueshme kanë dhe kompani të tjera të cilat shesin produkte në rrjet (online) dhe për këtë fakt hetimet janë në vazhdim. Sakaq dy personat që janë arrestuar janë një 21 dhe një 18-vjeçar, të cilët akuzohen si autorë të veprës penale ‘mashtrimi kompjuterik. Gjithashtu edhe pesë persona janë proceduar penalisht mosha e të cilave fillon nga 19-33 vjeç.

“Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka organizuar punën duke kapur në flagrancë, gjatë marrjes së pajisjes, shtetasin Q. T., 21 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Po ashtu, gjatë kryerjes së veprimeve hetimore u ndalua dhe shtetasi I. B., 18 vjeç,  i cili dyshohet si bashkëpunëtor për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Veprimet hetimore vazhduan dhe në lidhje me persona të cilët kanë furnizuar apo kanë bashkëpunuar për sigurimin e të dhënave të kartave bankare, nga ku rezultoi se këta shtetas kanë bashkëpunuar dhe me shtetasit:

E.H., 21 vjeç, E. Sh., 19 vjeç, Dh. T., 23 vjeç, M. M., 33 vjeç (shtetas i huaj) dhe S. S, 26 vjeç (shtetas i huaj). Të pestë këta shtetas po procedohen penalisht, pasi dyshohen si bashkëpunëtorë për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik””, bën me dije policia.

Gjithashtu, nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier u kontrolluan disa banesa dhe ambiente dhe me cilësinë e provës materiale u sekuestruan telefona celular, laptopë dhe dokumente, fatura të ndryshme bankare.

Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.

Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Top Channel