Tentoi të vriste me makinë punëtorin e “Rrugës së Kombit”/ Gjykata e Lezhës jep masën e sigurisë për 67 vjeçarin

25/05/2021 09:45
Foto ilustruese

Gjykata e Lezhës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për 67-vjeçarin, Ded Doçin, i cili u arrestua nga policia, pasi tentoi të vrasë me makinë një punëtor të firmës mirëmbajtëse të Rrugës së Kombit, duke e lënë të plagosur.

Në seancën  të zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se 67-vjeçari ka pranuar faktin se ka patur konflikte mbi pronësinë e tokës ku po punonin punëtorët, por ka mohuar ta ketë përplasur qëllimisht me makinë punëtorin Nazmi Halila, duke e konsideruar ngjarjen aksidentale.

Por pavarësisht pretendimeve të tij, gjyqtari Jak Ndoka pranoi kërkesën e prokurorit Ylli Pjeternikaj dhe vendosi arrest me burg për 67 vjeçarin.

Arrestimi

67-vjeçari u arrestua në 20 maj 2021, pasi tentoi të vriste një nga punonjësit e kompanisë që kryente punime në aksin rrugor Rrëshen- Rubik, pas konfliktit për pronësinë e tokës.

Autori Ded Doçi, banues në Mirditë përplasi me makinë Nazmi Halilan banues në Kukës, i cili u mjekua në spital e aktualisht ndodhet në shtëpi.

Sipas policisë, materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë ” dhe ” Vetëgjyqësia”.

Top Channel