Fiks Fare iu rikthye problematikës së ndërtimeve të HEC-eve vend e pavend, ku një i tillë në zonën e Matit po ndërtohet në një kanal vaditës. Madje, do të betonohet edhe një nga zonat më të bukura të Burrelit, vendburimi i Shutrrisë.

Por, skandali thellohet më tej, pasi ish-kryetari i Këshillit Bashkiak të Matit, Agim Hysa, i dha leje për këtë HEC firmës ku është pronar dhe administrator.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankuan disa banorë të fshatit Bruç, në Njësinë Administrative Rukaj në Mat. Ata ngritën zërin për përdorimin e ujit nga vendburimi i Shutrrisë, një nga monumentet më të bukura të natyrës, pasi uji që del nga nëntoka vjen nga liqenet e Lurës. Banorët ankohen se një firmë, e cila ka fituar koncesionin për ndërtimin e një HEC-i po u shkatërron pronat, ndërsa po përdor edhe një kanal vaditës për qëllime të saj.

Sipas tyre, është bërë një dëgjesë publike dhe disa prej tyre nuk kanë qenë dakord, pasi kanali kalon në afërsi të disa banesave dhe zgjerimi deri në 5 metra do tu marrë një pjesë të konsiderueshme prone. Një tjetër banor thotë se fillimisht ka firmosur, por firma nuk i ka vënë në dispozicion asnjë projekt. “Kur erdhën me fadroma, prishën gjithçka. E zgjeruan aq shumë sa nuk është kanal” thotë banori.
Pas ankesës së banorëve, “Fiks Fare” mësoi se firma që ka fituar koncesionin është “Ateani Energy”, për Hec Shutrri 1 dhe Hec Shutrri 2, për një afat 35 vjeçar. “Pronari i kësaj firme është z. Agim Hysa, që ka qenë kryetar i Këshillit Bashkiak të Matit” thotë një banor.

Fiks Fare kërkoi në Këshillin Bashkiak të Matit dokumentet për këtë HEC. Këshilli na vuri në dispozicion të gjithë dosjen, ku midis dokumenteve është edhe një vendim i datës 19 korrik 2018. Në atë kohë, ky Këshill vendosi “të miratojë dhënien në përdorim dhe lejimin e rikonstruksionit të kanalit vaditës Shutrrej-Urakë, subjektit ‘Ateani Energy'”. Dokumenti është firmosur nga zv.kryetari dhe nga sekretarja. Sipas Këshillit, në atë kohë, kryetar i Këshilli Bashkiak ka qenë z. Agim Hysa.

Ndërkohë, 6 ditë para këtij vendimi, firma “Ateani Energy” i kishte kërkuar Këshillit miratimin e kësaj kërkesë. Dhe, për çudi, në fund të kërkesës ishte edhe emri i administratorit të këtij subjekti, z.Agim Hysa. Pra, Këshilli Bashkiak i dha leje firmës së kryetarit të Këshillit për këtë pronë publike! “Ai i dha leje vetes. Përdori anëtarët e këshillit” pohojnë banorët. Sipas dokumenteve nga Qendra Kombëtare e Biznesit, në korrik 2018, pronar dhe administrator i firmës “Ateani Energy” ka qenë z.Agim Hysa. Vendimi i Këshillit u miratua edhe nga ish-kryetari i Bashkisë Mat, z.Nezir Rizvani.

Gazetarët e “Fiks Fare” biseduan edhe me z.Agim Hysa, aktualisht pronar i firmës “Ateani Energy”. Ai thotë se koncesionin e ka fituar në vitin 2017 dhe, që nga ajo kohë e deri më sot, është pronar i vetëm me 100 % të aksioneve të kësaj firme. Në vitin 2018, pohon se ka qenë kryetar Këshilli i Bashkisë Mat. Pra, në të njëjtën kohë që firma e tij ka marrë lejen nga Këshilli! Thotë se s’ka qenë pjesë e vendimmarrjes, pasi kishte konflikt interesi, por leja është firmosur nga zëvendësi dhe se firma e tij ka marrë të gjitha lejet e nevojshme nga institucionet. Në lidhje me pretendimin e banorëve, pohon se kanali do të përdoret edhe për vaditje.

Pyetjes se, ku do të ndërtohet vepra e marrjes, thotë se do të merret brenda burimit të Shutrrisë, sipas kanalit ekzistues. Pra, do të betonohet një pjesë e këtij burimi unik në të gjithë Shqipërinë.

Top Channel