Bariu hero shpëtoi gjashtë vrapues në maratonën tragjike me 21 të vdekur në Kinë

25/05/2021 19:12
Zhu Keming, ne shpellen ku strehoi atletet gjate stuhise

Një bari kinez lavdërohej sot si hero për shpëtimin e jetës së gjashtë atletëve në maratonën tragjike në veri të Kinës, ku 21 pjesëmarrës vdiqën të dielën prej motit ekstrem.

Zhu Keming ishte duke kullotur delet e tij në provincën e Gansu kur nisi shiu dhe rënia e papritur drastike e temperaturave që shkaktuan tragjedinë.

Ftohja e papritur e motit kapi të papërgatitur e të paveshur sportistët në garën 100km përmes territorit, që rrjedhimisht rezultoi fatale për një pjesë të tyre.

Kur u prish moti, zoti Zhu ishte strehuar në një shpellë të veçuar ku kishte depozituar ushqime dhe veshje, por teksa ishte brenda pa një prej vrapuesve në siklet.

Bariu tha për mediat se e kishte shoqëruar sportistin brenda në shpellë, i kishte masazhuar këmbët e krahët dhe kishte ndezur një zjarr për të tharë rrobat e tij.

Katër vrapues të tjerë ishin strehuar në shpellën e tij, të cilët i kishin thënë bariut se të tjerë kishin mbetur jashtë, disa prej të cilëve pa ndjenja.

Duke mos u trembur nga breshëri dhe temperaturat gati në ngrirje, Zhu doli të kërkonte të tjerë të mbetur në stuhi dhe arriti të gjente edhe një tjetër vrapues.

“Dua t’i shpreh mirënjohjen e madhe njeriut që më shpëtoi,” shkruante vrapuesi Zhang Xiaotao, në rrjetin social kinez Weibo.

Në total Zhu arriti të shpëtonte tre burra e tre gra, ndërsa tha për mediat se ishte vetëm “një person normal që bëri diçka normale”.

“Kishte ende njerëz që nuk munda të shpëtojë. Dy burra ishin të vdekur jashtë, dhe nuk mund të bëja asgjë për ta. Më vjen keq”, tha ai.

Gara tragjike solli bllokimin në kushte ekstreme të 172 vrapuesve të humbur. Pas goditjes së motit të rëndë vrapuesit ishin shpërndarë për të gjetur mbrojtje, por vuajtën nga hipotermia e të ftohtit, teksa shiu e breshëri i rëndë nuk i linte të shihnin e të orientoheshin.

Mes 21 vrapuesve që vdiqën ishte dhe Liang Jing, një nga maratonistët më të famshëm të Kinës. Liang kishte nisur garën me një palë pantallona të shkurtra, një xhaketë të hollë e një kapele bejsbolli.

31-vjeçari ishte fitues i shumë garave të gjatësive të mëdha, duke përfshirë dhe atë Ultra Gobi në 2018 – gara prej 400km përmes shkretëtirës Gobi.

Një tjetër viktimë,  Huang Guanjun, 34 vjeç, ishte me paaftësi dëgjimi dhe kishte fituar maratonën paraolimpike të Kinës në 2019.

Pjesëmarrësit e mbijetuar thonin se parashikimet tregonin për erë dhe shi, por asgjë aq eksrteme sa ajo që panë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA