Gjykata e Apelit në Durrës la sot në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e rrethit gjyqësor Elbasan për shtetasin Arbër Papleka që akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit pak ditë para zgjedhjeve në qytetin e Elbasanit, si dhe detyrim paraqitjeje për 10 të akuzuarit e tjerë për këtë ngjarje.
Ndërsa Paplekaj mbetet në qeli nën akuzat e vrasjes në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë dhe heqje të lirisë së personit, vepra këto të kryera në bashkëpunim, të akuzuarit e tjerë për ngjarjen do të vazhdojnë të ndiqen penalisht në gjendje të lirë, nën masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Ishte prokuroria e Elbasanit që ankimoi vendimin e Gjykatës së Elbasanit duke i kërkuar Apelit të Durrësit të ndryshojë masën e sigurisë për të akuzuarit e tjerë që u lanë të lirë dhe të vlerësojë të ligjshëm arrestimin e tyre. Kërkesa u hodh poshtë nga Apeli me relator gjyqtarin Izet Dushaj që la në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë.
Në seancë, disa nga avokatët e të akuzuarve deklaruan se organi i akuzës po mban qëndrim politik ndaj klientëve të tyre që njoftuan policinë që në momentet e para dhe u paraqitën menjëherë në polici për të dhënë dëshmitë e tyre pas ngjarjes.
Më 21 prill, gjatë përplasjes me armë mes dy grupeve të angazhuara politikisht në fushatën elektorale, mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, ndërsa u plagosën katër persona të tjerë midis tyre edhe një punonjëse policie.
Top Channel