Everest dhe Silvana Çaka

Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave sqaron se reagimi i Policisë së Elbasanit në lidhje me ekzekutimin e Everest Çakës në Elbasan, ngjarje e ndodhur 11 maj, në lagjen “Skënderbej” ku mbeti e plagosur lehtë edhe gruaja e tij, ka pasur reagim të menjëhershëm.

SHÇBA njofton se veprimi i policisë ka qenë konform procedurave standarde, duke reaguar në kohë për ngritjen e postblloqeve dhe mbledhjen e provave në vendngjarje, në funksion të zbardhjes së rrethanave dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje kriminale.

“SHÇBA sqaron opinionin publik dhe mediat për veprimet e Policisë së Elbasanit pas ngjarjes më datë 11.05.2021, ku mbeti i vrarë shtetasi E.C. dhe u plagos shtetasja S.C.

Në lidhje me një lajm të publikuar në disa media, ku thuhet se Policia e Elbasanit ka reaguar me vonesë pas sinjalizimit në sallën operative për ngjarjen, SHÇBA sqaron se nuk ka asnjë hetim për Policinë e Elbasanit dhe këto pretendime nuk janë të vërteta.

Nga konstatimet e SHÇBA, veprimet e Policisë së Elbasanit kanë qenë konform procedurave standarde, duke reaguar në kohë për ngritjen e postblloqeve dhe mbledhjen e provave në vendngjarje, në funksion të zbardhjes së rrethanave dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje kriminale.

SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90”, sqaron SHÇBA.

Pistat e hetimit

Një vrasje e stilit mafioz ku të gjitha pistat të çojnë në një larje hesapesh dhe hakmarrje të mundshme. Këto janë dyshimet për atentatin bërë Everest Çakajt.

Disa vite më parë vëllai i Everest Çakës u vra në Itali. Në atë kohë u dyshua se autori i vrasjes ishte një person i njohur me pseudonimin Nel Çami. Pas pak kohësh familja Mahmuti, (Familja e Nel Çamit) prej 4 personash u vranë në Elbasan. Ngjarja ndodhi në vitin 2011, i vetmi i shpëtuar Nel Çami rezulton i zhdukur që prej asaj kohe.

Vrasësi u cilësua misterioz, por u dyshua se autor mund të ishte Everest Çaka, në shenjë hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij. Dyshime të cilat nuk u faktuan kurrë. Në vrasjen e vitit 2011 mbetën të vrarë 2 vëllezërit e Nel Çamit, babai i tij dhe nusja e shtëpisë. Por kjo duket se nuk do të jetë pista e vetme që do të ndjekë policia.

Vrasja e Everest Çakajt mund të ketë lidhje edhe me vrasjen e djalit të hallës, Arjan Spahiu, i cili u vra në Belgjikë në nëntor të vitit 2020. Spahiu ishte i dyshuar si autor i vrasjes së Gëzim Alikajt disa vite më parë, edhe kjo një ngjarje e mbetur mister.

Ekzekutimi i Spahiut në Belgjikë solli në Elbasan pak ditë më parë një grup hetuesish dhe prokurorësh belg. Hetuesit belg kryen takime me zyrtarë të lartë të Policisë e Prokurorisë për të marrë informacione mbi Arjan Spahiun. Duket se të gjitha pistat rreth vrasjes së 41-vjeçarit në Elbasan të çojnë në larje hesapesh, ndërkohë policia e Prokuroria janë duke vijuar hetimet.

Top Channel